Tjetër rritje e të prekurve nga koronavirusi, ku konfirmohen 33 të
infektuar në Shqipëri, duke shtuar 10 raste të reja, nga 23 që ishte
ditën e djeshme.
Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në
bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor,
ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për gjurmimin e kontakteve të
rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19, për të cilët ju kemi
informuar në daljet e mëparshme.
Në 24 orët e fundit janë realizuar edhe 159 testime të reja dhe kjo e çon numrin total të testimeve të kryera në 457.
Deri në këto momente janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, nga të cilat:
8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv, nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina.
Ndërkohë 25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore në shtëpi.
Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë 19 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 1 rast
Elbasan 2 raste
Fier 4 raste
Rrogozhinë 2 raste
Ndërkohë konfirmohet se pas testimit të kampionit të parë të 50
mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan
negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe
testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal
Durrës.
Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i
mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve,
vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i
vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në
spitalin e Durrësit.
Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të
vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar.
“Dua tju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të
respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Të kufizojmë
rrezikun sa më shumë të jetë e mundur”, tha zv.ministrja e Shëndetësisë
Mira Rakacolli.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të
Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se
tashmë që OBSH ka shpallur pandeminë na koronaviriusi masat që janë
marrë duhet të merren seriozisht.
“OBSH ka shpallur pandeminë nga koronavirusi i ri që do të thotë se
bota ka transmetim komunitar në më shumë se 2 kontinente. Kjo është një
situatë që duhet vlerësuar me seriozitet dhe masat që janë marrë për
distancimin social duhet të merren me seriozitet. Ne do të vazhdojmë me
gjurmimin e rasteve në terren dhe nuk është e nevojshme që çdo person të
testohet”, tha Bino.