Ishte një mëngjes i zakonshëm për Kev Crane, i cili po punonte me tubat në banjën e një klienti teksa po këndonte “Burning Down the House” të Talking Heads.

Hidrauliku 49-vjeçar nga Mbretëria e Bashkuar gjithmonë këndon në punë. Në fakt, disa njerëz në Quorn – një fshat i vogël në Leicestershire, Angli – e quajnë atë “hidrauliku që këndon”.

Kev merr një radio të lëvizshme me vete në punë dhe këndon gjithçka, nga Dua Lipa tek Beatles. Shfaqjet muzikore të pakërkuara të Kev-it shpesh shoqërohen me duartrokitje, por një reagim i kohëve të fundit ishte vërtet i papritur: Atij iu ofrua që të nënshkruante me një studio muzikore.

Teksa ai këndonte duke punuar në banjën e një klienti, Paul Conneally – pronari i New Reality Records, një label i vogël – e dëgjoi.

Ndalova dhe dëgjova. Dhe më bëri shumë përshtypje,” tha për Washington Post Paul Conneally, 62 vjeç, i cili punësoi Crane si hidraulik.

Të dy nisën filluan të flasin dhe Paul e pyeti Kev-in nëse kishte ndonjë material origjinal. Ai i dha disa këngë që kishte regjistruar në studion e tij, një bodrum i improvizuar gjatë pandemisë.

Disa ditë më vonë, në mes të korrikut, Paul iu afrua dhe bëri një pyetje që hidrauliku kurrë nuk e kishte menduar se do t’i bëhej: “A do të doje ta publikoje albumin tënd në labelin tim?”

“Unë u trondita,” tha Kev. “Është një nga ato gjëra për të cilat lexon se u ndodhin të tjerëve. Ti nuk pret kurrë që të ndodhë ty.”

Crane, i cili ka qenë hidraulik për 13 vjet, vetëm pak kohë më parë u përqendrua në krijimin e këngëve. Në fillimin e pandemisë, kur nuk ishte në gjendje të punonte, pa një album që nisi ta shkruante rreth 25 vjet më parë, por nuk e përfundoi kurrë.

“Vendosa ta shndërroja bodrumin në një studio regjistrimi dhe thjesht kalova javë të tëra duke u përpjekur të mësoja se si të përzieja këngët,
” tha Crane, i cili ka dy fëmijë. “Ishte koha e përsosur sepse nuk mund të shkoja në punë.”

Më vonë, Paul dhe Kev rregulluan tetë këngë origjinale të tij dhe publikuan albumin, “Why Can’t I Be You”. Këngët janë frymëzuar nga muzika pop e viteve ’80. Që nga publikimi i albumit, “njerëzit po e dëgjojnë nga e gjithë bota”, tha Paul, duke shtuar se janë kontaktuar nga disa njerëz në industrinë e muzikës për mundësitë dhe bashkëpunimet e mundshme.

Ai beson se historia e Kev-it jehon me njerëzit sepse “Kev është një njeri i zakonshëm që punon. Ai nuk pretendon të jetë diçka që nuk është. Ai është pikërisht ai që është: një djalë që rregullon banjat dhe shkruan këngë brilante në të njëjtën kohë.”

Kjo përvojë i ka mësuar Kev-it një mësim të rëndësishëm: “Nëse nuk ke një ëndërr, si mund të realizosh një ëndërr? Asnjëherë, kurrë mos u dorëzo,” tha ai.

Nëse gjithçka tjetër dështon, Paul tha, “ai është ende një hidraulik i shkëlqyeshëm. Banjat duken fantastike.”

Përshtatur nga Washington Post

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re