Katër raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në 24 orët e fundit në Vlorë.

Nga këto raste, tre janë punonjës të gjendjes civile në Vlorë. Pas rastit të parë të konfirmuar një ditë më parë, ISHP u ka bërë tamponin punonjësve të tjerë dhe tre prej tyre kanë rezultuar pozitivë.

Ndërsa, për personin e katërt, ISHP po bën hetimin epidemiologjik për të zbuluar se nga e ka marrë virusin. Personat e konfirmuar kanë shenja të lehta të sëmundjes.

Kujtojmë këtu se në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 55 raste me koronavirus ndërsa tre persona kanë humbur jetën.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 39 raste në Tiranë, 4 në Vlorë, 3 në Kukës, nga 2 raste në Durrës, Krujë, Kavajë, nga 1 rast në Shkodër, Elbasan, Kamëz.

Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit është më i lartë se numri i të identifikuarve pozitive me Covid19. Janë shëruar 77 qytetarë, duke e çuar në 2214 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Ndërkohë në vendin tonë aktualisht janë 1585 persona aktivë me Covid19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re