Ndërsa qeveria ka vendosur të lehtësojë masat dhe katër bashki të qarkut të Elbasanit tashmë janë zona të gjelbërta, dy raste të reja me Covid 19-të janë regjistruar në qytetin e Elbasanit. Rasti i parë i takon një 50-vjeçari banues në Mengël dhe i dyti një 84-vjeçari në lagjen ‘5 Maji’.

Për herë të parë koronavirusi del përtej qytetit të Elbasanit.

Një 50-vjeçar banues në Mengël, njësia administrative Labinot-Fushë ka rezultuar pozitiv, ndërsa tamponët e marrë bashkëshortes dhe djalit të tij kanë ardhur negativ.
Sipas burimeve, 50-vjeçari është shofer i një kompanie ndërtimi në qytetin e Elbasanit, por operon edhe përtej qytetit.

Rasti i ri ka shqetësuar banorët aty pranë, pasi vetëm të mërkurën e shkuar vëllai i 50-vjeçarit ndërroi jetë pasi u gjet i vetëvarur në banesën e tij nga familjarët dhe banorët mësohet se kanë marrë pjesë masivisht në ceremoninë mortore. Një fakt të tillë e konfirmojnë vetë banorët.

Rasti i dytë i konfirmuar pozitiv është ai i një 84-vjeçari banues në lagjen ‘5 Maji’, ose e njohur ndryshe Rrapishtë. Sipas burimeve, të parët që kanë shfaqur probleme kanë qenë nipërit e të moshuarit, të cilët kanë marrë mjekim në pediatrinë e qytetit, pasi shfaqën problem me diarrenë. Teksa mjekët i rekomanduan të shkojnë në shtëpi, hetimi epidemiologjik ka shkuar në banesë ku jetojnë 7 anëtarë dhe i kanë marrë tamponë familjes.

Përgjigjet sot kanë ardhur pozitive për të moshuarin, ndonëse nuk ka shfaqur simpoma, ndërsa për anëtarët e tjerë pritet të vijnë ditën e nesërme. Është i paqartë fakti se ku mund ta ketë marrë familja virusin, ndonëse dyshimet e para të çojnë te kryefamiljari, i cili edhe këto ditë ka punuar në ndërtim.

Fatmirësisht të dyja rastet e reja nuk paraqesin rrezikshmëri, pasi si 50-vjeçari, por edhe i moshuari nuk kanë simptoma serioze, veçse pak temperature, ndaj janë të izoluar në shtëpi. Me t’u konstatuar rastet e reja është bërë dezinfektimi i të dyja banesave, të cilat tashmë konsiderohen vatra të reja.

Me dy rastet e sotme numri i të infektuarve në Elbasan ka shkuar në 20, por fatmirësisht 16 janë shëruar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re