Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili i kërkoi qeverisë të marrë masa për të menaxhuar situatën me Covid 19.

Ai kërkon që të krijohet qendra e koordinimit për raste me COVID-19 që marrin mjekim në shtëpi si dhe t’u ofrohet mjekim dhe shërbim falas në banesë këtyre pacientëve që nuk shkojnë në spital.

DEKLARATA E PLOTE

Të nderuar qytetarë dhe qytetare,

Situata e rasteve me Covid-19 paraqitet shumë problematike dhe rastet vazhdojnë të jenë të shtuara, me një mesatare më shumë se 100 raste në ditë, mbi 130, 150.

Ministria e Shëndetësisë qartësisht ka hequr fokusin dhe ka nxjerrë jashtë vëmendjes së saj këtë masivitet rastesh dhe është përqendruar qoftë në mbështetje, qoftë në daljen mediatike, qoftë në propagandën mediatike vetëm në QSUT. Sot në Shqipëri ku 150 të sëmurë në ditë ekzaminohen me Covid, është fare e qartë që një numër fare i vogël i tyre shkon në spitalet tona dhe dhjetëra e qindra të tjerë vazhdojnë trajnimin e tyre në banesë. Sot përpara të gjithë shqiptarëve ekzistojnë dy probleme të mëdha: problemi si duhet i këtyre pacientëve në banesë dhe e dyta, mundësia e mbulimit me shërbim mjekësor me barna dhe me të gjitha shtesat e tjera mjekësore që i duhen një trajtimi të plotë me Covid. Është fakt që mjaft të sëmurë kanë qëndruar për një kohë të gjatë në banesë pa pasur kujdesin e duhur shëndetësor, pa pasur një protokoll të mirëfilltë mjekësor dhe për pasojë gjendja e tyre është përkeqësuar dhe ata kanë humbur jetën e tyre duke ardhur në spital në një moment shumë të vonë, pothuajse të pamundur për t’u ndihmuar më tej. Sot përpara të gjithë opinionit publik është një domosdoshmëri imperative, një detyrim shtetëror, një detyrim ligjor që të krijohet qendra e koordinimit për të gjithë rastet me Covid pozitiv, të cilët trajtohen banesë.

Të krijohet paketa e shërbimit në banesë për ta. Qoftë e kujdesit mjekësor, ashtu dhe atij infermieror. Të sigurohet që të gjithë barnat që përdorin këta të sëmurë me Covid të jenë gratis dhe të paguhen nga shteti pasi jemi në një moment të një gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore.

Gjithashtu të ndërmerren të gjitha hapat dhe të miratohen paratë e duhura, paketat, mekanizmi shumë i shpejt, monitoruesi dhe implementuesi i përditshëm që këto të sigurohen pa asnjë pagesë, ku gjithashtu të parashikohet dhe rimbursimi i të gjithë atyre pacientëve, të cilët janë trajtuar në banesë, e të cilëve trajtimi në banesë u ka kushtuar qimet e kokës e në shumë raste dhe me një përfundim fatal.

Sot kryefjala duhet të jetë mjeku i familjes, koordinimi nga ana e Instituti të Shëndetit Publik, i cili me përgjegjësi ligjore ka detyrimin të koordinojë veprimet në nivel kombëtar pasi nuk është Qendra Spitalore Universitare që ka një funksion të tillë, ndonëse injoranca e tmerrshme shtetërore dhe ideja për të mbyllur çështjet dhe problemet i bëjnë që të shkojnë gjithmonë në QSU dhe këto dy këmbë të mëdha, mjeku i familjes në njërën anë dhe koordinimi me ISHP do të sigurojnë funksionimin realisht të gjerave të përditshme.

Janë qindra familje, të cilat po vuajnë një dramë shoqërore, të cilët e kanë të pamundur të sigurojnë të gjitha llojet e barnave, me të cilat trajtohen këta të sëmurë me Covid në banesë, të cilët shpesh janë të harruar, të lënë pas dore e për pasojë i gjithë trajtimi i tyre është në dorë të rastësisë. Absolutisht familjari dhe vetë i sëmuri nuk mund të bëhen mjekë të vetes, vetëm mjeku, autoriteti i tij profesionalo-shkencor, dijet e tij, detyrimi për ta ofruar këtë shërbim, së bashku me shërbimin e padiskutueshëm dhe jetik infermieror mund të sigurojë në këtë moment një ndihmë mjekësore më të mirën që mund të ofrohet dhe protokollet mundësojnë duke u siguruar këtyre pacientëve dhe familjarëve të tyre, por dhe mbrojtjen e tyre nga përhapja e sëmundjes, një qëndrim i tillë mbron dhjetëra-qindra të sëmurë dhe nga ana tjetër mbron dhe komunitetin.

Është e pafalshme që flitet vetëm për të sëmurët, flitet vetëm për raportimet e përditshme të rasteve që trajtohen Qendrën Spitalore Universitare në spitalin COVID 1dhe COVID 2, dhe dhjetëra dhe qindra të sëmurë të tjerë në banesa nuk thuhet asgjë. Sa prej tyre janë të komplikuar? Si trajtohen? Cila është ndihma financiare? Është fakt këtë vit që shëndetësia në mënyrë paradoksale ka shpenzuar më pak para se sa një vit më parë. Kjo kupton fare mirë se si shteti ka para për të vazhduar dhe paguar koncesionet e rrugëve, por nuk ka para për të paguar të gjithë shërbimin shëndetësor gratis të paktën për të sëmurët me COVID në një situatë pandemie ku ka detyrim ligjor për të marrë përsipër trajtimin e tyre gratis. Koha nuk pret, çdo veprim i vonuar në dhënien e këtij shërbimi shëndetësor të plotë profesional dhe subvencionuar nga shteti sepse kështu mbrohen jetë njerëzish, por mbrohen dhe mijëra dhe mijëra të tjerë nga përhapja e sëmundjes. Detyrimi për ti marrë përsipër derisa një pacient të negativizohet, pra të jetë i çliruar nga Covidi. Pra detyrimi për t’i marrë përsipër shteti edhe ku i sëmuri e merr të gjithë këtë mbështetje gratis është më e pakta gjë që shteti mund të bëjë për ta. Ky detyrim duhet marrë që sot, me emergjencë nga qeveria, e cila duhet të lëri llafet e bukura, shfaqjet pafund në shqip e në anglisht, pasi në këtë moment që japin këtë shfaqje, dhjetëra e dhjetëra shqiptarë dhe shqiptare ndodhen në banesë. Njerëz të thjeshtë, por edhe personalitete të jetës publike të vendit, ndodhen e vuajnë për një ndihmë mjekësore minimale, sepse kjo mungon për shkak të çorganizimit, ç ‘koordinimit dhe mungesës së dëshirës për t’iu gjendur qytetarëve pranë. Faleminderit të gjithëve!

The post Rastet me Covid-19/ Vasili-Ramës: Krijo Qendrën e Koordinimit për mjekim në shtëpi! appeared first on Të Paekspozuarit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re