Rastet pozitivë me Covid-19 po vijojnë të jenë çdo ditë prezentë në qarkun e Beratit, ku vetëm sot janë regjistruar katër raste të prekurish me Coronavirus.

Edhe pse kemi një të shëruar në dy javët e fundit, numri i rasteve aktive me Covid-19 në Berat ka shkuar në 24.

Vetëm dy prej rasteve të sotme janë kontakte të rasteve të mëparshme të regjistruara dje brenda institucionit të DSHP-së Berat, ndërkohë që dy rastet e tjera janë raste të reja.
Mes të infektuarve të sotëm janë sërish dy punonjës të Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat që mendohet se janë infektuar nga rastet e djeshme që rezultuan “pozitivë” në këtë drejtori.

E infektuar ka dalë edhe një infermiere nga Ura-Vajgurore e cila punon në një qendër shëndetësore në këtë bashki. Covid-19 është rikthyer sërish edhe në fasoneritë e qytetit të Beratit ku një punëtore ka rezultuar sot “pozitive”.

Vetëm gjatë ditës së djeshme janë kryer 32 tamponë, ndërkohë që po vijohet edhe sot me marrjen e ramponeve në stafin e Qendrës Shëndetësore në Urë-Vajgurore dhe në fasonerinë në Berat, ku rezultuan rastet e prekura me Covid-19.

Mjekët epidemiologë të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Berat, edhe pse të vënë në alarm nga rastet e dala brenda kësaj drejtorie, janë duke kryer hetimin epidemiologjik për gjurmimin e kontakteve të rasteve të sotme, me tyre edhe të kolegëve.

Ndërkohë, nga ana e bashkisë Berat konfirmohet se, në bashkëpunim me Drejtorinë e Higjenës do kryhet sot dezinfektimi i plotë i ambjenteve të fasonerisë në Berat si dhe po vijohet edhe sot me dezinfektimin e çdo ambjenti brenda DSHP-së Berat.

Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat konfirmojnë se, të gjitha rastet aktive me Covid-19 në qarkun e Beratit po monitorohen nga inspektorët e policisë për të mos shkelur rregullat e karantinimit të tyre në banesa./ Balkan Web

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re