Në Komisionin e Ligjeve nisi dëgjesa me grupe interesi në lidhje me vettingun në politikë propozuar nga opozita.

Deputeti, Ervin Salianji, i vetmi që përfaqësonte opozitën në dëgjesën e parë me biznesin, pretendoi se këto dëgjesa po zhvillohen me qëllim shtyrjen e  këtij procesi.

“Është e qartë se mazhoranca nuk e do vetingun e politikës dhe është e qartë se qytetarët shqiptarë e duan njëherë e mirë, sidomos pas zbulimit të ngjarjeve të lidhjes së politikanëve me krimin. Ne si PD kemi kërkuar kontrollin e integritetit të politikanëve, të lidhjes së tyre me krimin dhe kontrollin e pasurisë së politikanëve. Këto nuk besoj se ka qytetar që i do. Nuk besoj se ka qytetar që nuk traumatizohet kur një kryetar bashkie i zgjedhur nga PS thotë se ‘unë e njoh Niçen’ dhe na e shet këtë si normalitet”, tha Salianji, referuar rastit të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

“Vullneti i PD është vullneti i cdo qytetari. Ne duam të shkëpusim lidhjet e politikës me krimin, të bëjmë dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe të bëjmë kontrollin me paketën antimafia të çdo biznesi që ka përfituar në mënyrë të pandershme. Kështu që kërkoj të përshpejtohet ky proces”, theksoi deputeti demokrat.

Ndërkohë, kryesuesja e seancës, deputetja socialiste Vasilika Hysi tha se Venecia ku mazhoranca ka çuar propozimin e opozitës për të marrë një sugjerim, do e kthejë përgjigjen në dhjetor.

“Besojmë që brenda dhjetorit na vjen rekomandimi i komisionit të Venecias” tha Hysi.

Mazhoranca, e cila mbron qëndrimin se vettingun në politikë e bën SPAK, thotë se nëse Venecia jep “Ok” për variantin e opozitës, ajo është gati ta respektojë atë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re