Një gjykatë turke ka vendosur të transferojë rastin e saj për vrasjen e vitit 2018 të gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, tek autoritetet gjyqësore saudite.
Më 31 mars, një prokuror turk në Stamboll kërkoi nga gjykata të përfundojë procedurat në Turqi dhe t’ia transferojë rastin autoriteteve gjyqësore saudite.
Duke argumentuar për transferimin, prokurori tha se nuk mund të merret asnjë dëshmi nga 26 shtetasit sauditë të akuzuar për këtë rast dhe se as nuk mund të arrestohen, pasi nuk janë në tokën turke. Kështu që, sipas prokurorit turk, rasti do të mbetet i paqartë.
Duke rënë dakord me këtë kërkesë, gjykata turke vendosi t’ia transferojë rastin autoriteteve saudite në Riad.
Në seancën për transferimin e rastit mori pjesë Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit të ndjerë, së bashku me avokatin e saj.
Procesi gjyqësor i rastit Khashoggi po zhvillohej në Stamboll, pasi gazetari u zhduk pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit 2018.
Rasti me muaj tërhoqi thirrje për drejtësi për gazetarin, i cili ishte me bazë në SHBA që nga viti 2017.
Burimi: AA