Rasti i sulmit me armë ndaj Klodiana Lalajt ishte vetëm më i freskëti dhe u bë i bujshëm pasi pati edhe një reagim të gjerë nga të gjithë shoqëria, e në radhë të parë nga vetë gazetarët.

Por ky nuk është as i pari e as i fundit në Shqipëri.

Kërcënimi apo pafuqia e gazetarëve ndaj pjesës më të keqe të shoqërisë, qoftë në pushtet e qoftë në rrugë është bërë fenomen.

Por si lindi?

Shumë thjeshtë: lindi nga muret që pushteti si në qeverisje por edhe jashtë qeverisjes, krijon ndaj gazetarëve.

Janë muret që krijohen për gazetarë të preferuar dhe të papreferuar, janë lista që hartohen nga zyrat e shtypit; Presidenca, Kuvendi, Kryeministria, ministritë nga Prokuroria e Përgjithshme, nga ambasadat.

Në vitin 1997, kur media ishte i vetmi mjet ku politika duhet të drejtohej tek qytetarëve dhe kjo bëhej vetëm ndërmjet gazetarëve dhe jo nëpërmjet botuesve ndërtues, gjithçka ishte ndryshe.

Në Presidencë, mjafton të kishe një kartë gazetari dhe hyje gëlldum në paradhomën e Rexhep Meidanit.

Në Kuvend, Skënder Gjinushi kishte lënë një urdhër qarkullues i cili ishte shpërndarë nga zëdhënësi Skënder Duka, ku gazetarët nuk mund të pengohen dhe duhet të hyjnë në çdo zyrë.

Në Kryeministri, një reporter pinte kafe në barin e Luzhit së bashku me kreun e qeverisë Fatos Nano.

Reporterët e kronikës ngjisnin çdo shkallë të Prokurorisë së Përgjithshme, atë të Tiranës, apo komisariateve në Tiranë.

Politikanët flisnin për të gjithë, prokurori jepte konferenca për shtyp, zëdhënësat informonin të gjithë mediat njëkohësisht.

Pas 2003 nisën të ndryshonin gjërat: u shpikën listat, prioritetet, u ngritën muret dhe u vendosën preferenca se kush do të hynte dhe kush jo.

Kjo situatë u majis vit mas viti, sa në periudhën e qeverisjes së PD-së u institucionalizua “gazetari i preferuar”, situatë që u thellua edhe më shumë në kohën e Edi Ramës.

Në Kryeministri, pyetje në konferenca shtypi bëjnë vetëm 2 gazetarë: nga Klan-i dhe Top-i që i zgjedh Fuga.

Pastaj ka gazetarë të Llallës, të Tahirit, kundër Tahirit, të Ramës, të Bashës, e natyrisht të Metës. Madje ka edhe gazetar “çam”, demokristianë e të tjerë; gazetarë që në studio i dërgojnë: Kryeministria, Presidenca dhe selia e PD-së.

Situata u polarizua në kulm, saqë kur po diskutohej mbi arrestimin e Saimir Tahirit në Kuvend, turma e përkrahësve të ish-ministrit e linçoi Klodiana Lalën duke e quajtur “gazetare të Hajdarmatajt” dhe ish-ministri i Brendshëm nuk tha asnjë fjalë për ta mbrojtur reporteren, edhe pse ajo mund të kishte dhënë informacione që gati e çuan në burg Tahirin.

Me një fjalë, të gjithë muret e ngritura ndaj gazetarëve në radhë të parë si portë për të grumbulluar lajmin janë inkurajim për të fortët për krimin, për gazetarët që i blejnë si gjëja e gjallë në treg.

Në mjedisin tonë flitet për gazetarë që marrin rroga, i kanë blerë shtëpi nga politikanët, biznesmenët, të fortët dhe krimi.

Një grup gazetarësh jetojnë në fortesën ku banon elita e vendit; ku i morën paratë?

Një tjetër i futur në politikë nuk sqaroi kurrë milionat e tij dhe të tjerë që jetojnë në luks duke dalë përditë në ekran me kriminelë e pushtetarë, si mision për t’u larë atyre faqen e zezë.

“Klodiana Lala” është një fenomen i mbarsur në vite, një fenomen që ka njollosur në radhë të parë pushtetin e politikës dhe në radhë të dytë vetë gazetarët që janë ndarë si lukuni ujqërish që duan të hanë njëri-tjetrin.

Zgjidhja? E thjeshtë: të kërkohet urgjentisht liria e aksesit për gazetarët dhe të ndalohet rreptësisht shitja e njerëzve të medias. Kush shitet te politika dhe krimi të denoncohet me emër e mbiemër. Ata nuk janë gazetarë, thjesht bashkëpunëtorë të së keqes…

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re