Dy shimpanze janë vrarë nga të shtënat e policisë vetëm disa orë pasi u arratisën nga një kopsht zoologjik në Pereira, në Kolumbinë qendrore-perëndimore.

Dy kafshët u arratisën të dielën mbrëma nga kopshti zoologjik Ukumari. Pas tre orësh kërkimi, policia gjeti Pançon – një shimpanze mashkull në fund të të 20-ave – 2.5 kilometra larg kopshtit zoologjik.

Shefja e departamentit të policisë së Pereira, Alexandra Dias, tha se shimpanzeja kishte sulmuar më parë një kujdestare të kopshtit zoologjik, duke shpjeguar se për shkak të sjelljes së saj agresive nuk u bë asnjë përpjekje për ta qetësuar atë dhe oficerët u urdhëruan të hapnin zjarr.

Shimpanzeja e dytë, një femër e quajtur Cheetah, u vra gjithashtu jo shumë larg kopshtit zoologjik, tha Dias pa dhënë detaje.

Në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, menaxhmenti i kopshtit zoologjik shprehu pikëllimin e tij për vdekjen e dy shimpanzeve që kishin “vjedhur zemrat e të gjithë vizitorëve” prej vitesh.

Sipas raportimeve të mediave kolumbiane, menaxhmenti i kopshtit zoologjik pranoi se dy shimpanzetë u arratisën për shkak të gabimit njerëzor.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve i kanë kërkuar prokurorisë hetimin për rastin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re