Përballja me COVID-19, një armik i panjohur më parë, i ka vendosur në vështirësi edhe sistemet shëndetësore më të fuqishmë në botë.

Rritja e menjëhershme e numrit të të infektuarve dhe shumë të panjohura me të cilat po përballën mjekët, ka bërë që kësaj beteje t’i bashkohen të gjithë. Mjekë të dalë në pension, apo edhe politikanë me profesion mjekë, ka veshur sërish bluzat e bardha dhe janë vendosur në vijën e parë të frontit të luftës. Të majtë e të djathtë, kanë lënë menjanë politikën dhe janë bërë bashkë.

Rasti më pozitiv vjen shumë pranë Shqipërisë së zhurmshme, ku po një shqiptar, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i është futur punës si vullnetar për të kryer detyrën e mjekut. “Është koha të veshim uniformat”, ka deklaruar ai.

Krah detyrave shtetërore, Bujar Osmani ka vendosur që t’u japë edhe një dorë kolegëve të tij. Shembuj të tillë raportohen në të gjithë botën, madje edhe në nivel kryeministri. Leo Varadkar, kryeministri i Irlandës ka vendosur së fundmi që një herë në jave të japë shërbimin e tij si mjek në spital.

Sensibilizimi në Shqipëri

Në Shqipëri, politika nuk e gjen gjuhën as në kohë pandemie. Edhe pse ka një komunikim mes presidentit dhe qeverisë, përplasjet janë të shumta. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për profesionistët. Ata janë bërë të gjithë bashkë në këtë betejë.

Thirrjes se Ministrisë së Shëndetësisë, për staf mjekësor në luftën me koronavirusin i janë përgjigjur 2268 mjekë, infermierë, farmacistë, ekspertë të shëndetit publik, studentë të Mjekësisë.

Prof. Dhimitër Kraja, ish shef i Spitalit Infektiv, dr. Sokol Agolli, mjek anestezist reanimator, dr. Mihal Kërci, mjek anestezist reanimator, dr. Roland Xhaxho, mjek anestezist reanimator, së bashku me inxhinierët mjekësore Pirro Kushi dhe Aziz Toska ju përgjigjën menjëherë thirrjes duke ofruar shërbimin e tyre të vyer në përballje me koronavirusin e ri.

Ndarja e politikës

Disa prej politikanëve të vendit tonë, si nga radhet e maxhorancës, ashtu edhe të opozitës, janë me profesion mjekë. Të gjithë kanë qenë aktivë ditët e fundit, edhe pse në mënyra të ndryshme.

Pesë deputetë të PS-së, u pohua se i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë, që të bashkohen në luftën kundër koronavirusit.

Ata janë Klodiana Spahiu, Edlira Bode, Arben Kamami, Ilir Pendavinji dhe Florenc Spaho. Edhe pse lajmi për angazhimin e tyre u prezantua me bujë, ata nuk janë parë ende në frontin e luftës.

Nga ana tjetër, politikanët me profesion mjekë nga radhët e opozitës kanë zgjedhur që të përballen me denoncime me maxhorancën.

Ish-kryeministri Sali Berisha shpesh herë ka publikuar edhe lajme të pakonfirmuara rreth koronavirusit. Kjo ka bërë që maxhoranca ta kallëzojë penalisht në prokurori.

Tritan Shehu dhe Bardh Spahiu kanë qenë më aktiv në denoncimet e opozitës, të cilët kanë mbajtur linjën zyrtare të Bashës. Të gjithë njëzëri përsërisin kërkesën për më shumë teste, por opozitarët me profesion mjek, nuk kanë vendosur ende të veshin bluzat e bardha.

Politika shqiptare vazhdon të mbajë shembullin më të keq në rajon, ku edhe në kohë krizë nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët./ gazeta-shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re