Në Durrës është konfirmuar një rast i ri infektimi nga koronavirusi i ri i një punonjëse fasonerie, duke ngritur shqetësim midis autoriteve se mund të kthehet në një vatër të re infektimi.

Geri Emiri

Të dhënat e siguruara nga BIRN nga Inspektoriati Shtetëror i Shëndetit tregojnë se gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar një rast i ri pozitiv me virusin SARS-CoV-2 në një punonjëse fasonerie në qytetin e Durrësit.

Gruaja e infektuar në Durrës raportohet se punonte në njërën nga dy fasoneritë e kompanisë së prodhimit të këpucëve “Endi” sh.p.k, që operon në lagjen 13, në zonën e Shkozetit.

“Janë bërë disa tamponë për disa punonjës, që dyshonin se janë të sëmurë nga këta mjekët e ndërmarrjes, por nuk janë marrë përgjigjet akoma”, shpjegoi për BIRN Luan Pistolja, administratori i fasonerisë “Endi” sh.p.k”. “Akoma nuk dimë gjë tamam,” shtoi ai.

Pistolja tha se punonjësja e dyshuar si e infektuar është dërguar menjëherë në shtëpi pasi ka shfaqur simptoma, ndërsa shtoi se puna do të vazhdojë pa ndërprerje.

“Ka qenë pushim 4 ditë a 1 javë dhe ka ardhur me simptoma,” Pistolja. “E kanë ndaluar doktorët që i kontrollojnë një e nga një dhe e kanë dërguar në shtëpi, që të bëj vizitë apo ndonjë tampon,” shtoi ai.

E kontaktuar nga BIRN, Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigj një kërkese për koment mbi rastin e dyshuar dhe nëse po vijonte gjurmimi epidemiologjik.

Punonjës të kompanisë, të cilët folën në kushtet e anonimatit, i thanë BIRN se janë marrë të paktën 20 tamponë dhe në njërin prej sektorëve puna është pezulluar deri ditën e hënë.

Në qoftëse konfirmohet, ky nuk është rasti i parë i COVID-19 në fabrikat e qepjes së këpucëve të kompanisë Endi Sh.p.k, e cila ka dy fabrika në Durrës dhe një në Krujë.

Fabrika e kësaj kompanie në Krujë u kthye në prill në një nga vatrat më të mëdha epidimielogjike të koronavirusit në Shqipëri, ku infektuan dhjetra punonjës dhe persona që kishin ardhur në kontatk me ato. /BIRN – Reporter.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re