Raundi i parë i votimit do të mbyllet pa një emër për presidentin e ri. As Partia Socialiste dhe as tre grupet parlamentare të opozitës nuk dorëzuan asnjë kandidaturë për kreun e ri të shtetit.

 

Me djegien e votimit të parë të hënën e 16 majit, konferenca e kryetarëve do të mblidhet për të përcaktuar datën për raundin e dytë. Kushtetuta parashikon që ajo të zhvillohet 7 ditë nga zhvillimi i raundit të parë.Për aq kohë sa deri në raundin e tretë kërkohen 84 vota për të zgjedhur pasuesin e Ilir Metës, konsensusi mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës është kusht.

 

Në tryezën e bisedimeve Partia Socialiste është ulur me dy nga grupet parlamentare të opozitës, të drejtuar nga Fatmir Mediu dhe Mesila Doda. Angazhimi është që në negociatat e radhës, që pritet të zhvillohen gjatë javës është të diskutimi i emrave, kandidatë për president.Nga Fatmir Mediu, kryetari i grupit parlamentar “Aleanca për Ndryshim” është kërkuar që opozita si një e vetme të propozojë emrin ose emrat e saj. Në të kundërt ajo nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi. Ndërsa grupi parlamentar “Për Demokraci dhe Integrim” i Mesila Dodës është për një president që vjen nga politika.

 

Enkelejd Alibeaj, kryetari i grupit parlamentar të demokratëve, është deklaruar se do të negociojë me socialistët vetëm pasi këta të fundit të shprehen për mënyrën e zhvillimit të procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.

 

Kërkesa e tij është që nga katër propozimet e opozitës parlamentare, mazhoranca të përzgjedh dy dhe më pas të jetë një komision bipartizan që përcakton emrin për votim. Nga socialistët është refuzuar pasi sipas tyre u heq një të drejtë që e kanë, propozimin e emrave dhe e ftojnë Enkelejd Alibeaj që të ulen në negociata pa kushte.

 

Deri në raundin e dytë, palët e përfshira në proces kanë edhe një javë kohë për të negociuar. Rezultati i bisedimeve do të përcaktojë nëse në votimin e dytë do të shkohet me një emër, si rrjedhojë e dakordësisë mazhorancë-opozitë apo edhe ai do të digjet.

 

Cilido të jetë rezultati i negociatave, socialistët janë të qetë. Ata zotërojnë 71 votat e kërkuara nga Kushtetuta për ta zgjedhur të vetëm presidentin në raundin e katërt.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re