Skip to content

RD e Kongos, vritet edhe një imam tjetër në lindje të vendit

Një imam është vrarë në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongis (DRC), ku është në fuqi një shtetrrethim ushtarak për të lejuar forcat e sigurisë të luftojnë grupet e armatosura në rajon.

Mediat lokale raportojnë se Sheikh Djamali Moussa, një imam i njohur në qytetin Beni të provincës Kivu Veriore, u vra nga një komando e paidentifikuar në Mavivi, rreth 15 kilometra nga qyteti Beni.

Teddy Kataliko, një udhëheqës i shoqërisë civile në Beni, tha se incidenti ndodhi përderisa viktima po kthehej në shtëpinë e tij në mbrëmje.

Kjo është vrasja e dytë e një imami brenda një muaji, pasi më 1 maj, gjatë muajit të Ramazanit, në qytetin Beni u vra imami Sheikh Ali Amin përderisa po kryente faljen e namazit në xhaminë Mupanda.

Të dy imamët ishin të njohur për paralajmërimet e rregullta të tyre mbi lëvizjen e luftëtarëve të Forcave Demokratike Aleate (ADF) në rajon.

Vrasësit akoma nuk janë identifikuar, megjithatë grupi ADF është aktiv në pjesën lindore të vendit.

Rebelët e grupit ADF, me origjinë nga Uganda që nga vitet e 90’ta, për vite me radhë në lindje të DRC-së kanë sulmuar dhe vrarë civilë, si dhe personel të Kombeve të Bashkuar (OKB).

Shpesh herë bastisin fshatrat, duke vrarë dhe rrëmbyer civilë.

Për t’i frenuar aktivitetet e grupeve të armatosura, presidenti Felix Tshisekedi, shpalli një shtetrrethim në fillim të këtij muaji në provincat Kivu Veriore dhe Ituri, në kufi me Ugandën.

DRC-ja është rrënuar nga dhuna për vite me radhë pasi disa grupe rebele luftojnë njëri-tjetrin ose kundër ushtrisë së vendit dhe forcave të OKB-së për kontroll të territorit.

Sipas OKB-së, shfrytëzimi i burimeve natyrore vazhdon të jetë një shkak kryesor dhe nxitës i konfliktit, me shumicën e grupeve të armatosura që kanë lënë mënjanë kërkesat e tyre politike dhe janë përfshirë në trafikimin e mineraleve.