Reagime të forta shkaktuan deklaratat e Ministres së Arsimit në Gjermani Bettina Stark-Wächinger (FDP), e cila tha se shkollat kanë përgjegjësi të përgatisin nxënësit edhe për mundësinë e luftës, në kuadër të mbrojtjes civile.

“Shoqëria në tërësi duhet të përgatitet siç duhet për krizat, nga një pandemi te fatkeqësitë natyrore dhe deri te lufta,” tha ministja në një intervistë për gazetat Funke Group.

“Mbrojtja civile është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e ka vendin në shkolla. Synimi ynë duhet të jetë të forcojmë qëndrueshmërinë tonë”, shtoi zonja Stark-Wächinger dhe mbështeti stërvitjet e mbrojtjes civile në shkolla, madje duke përmendur Britaninë si shembull.

“Të rinjtë duhet të jenë të vetëdijshëm për kërcënimet ndaj lirisë së tyre dhe të jenë në gjendje të përballen me rreziqet, dhe shkollat kanë për detyrë t’i nënvizojnë rreziqet në një mënyrë të përshtatshme për moshën, por edhe të ndihmojnë në përballimin e ankthit dhe frikës”, theksoi ajo.

Ministrja e Arsimit u bëri thirrje gjithashtu shkollave në Gjermani të zhvillojnë një marrëdhënie “të qetë” me forcat e armatosura, me vizita nga oficerët që do të marrin përsipër të shpjegojnë saktësisht se çfarë bën Bundesëehr për sigurinë e qytetarëve.

Megjithatë, në përgjigje të një pyetjeje, ajo hodhi poshtë sugjerimet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

“Shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq sepse nuk konsiderohet më i pranueshëm nga pikëpamja kushtetuese,” vuri në dukje ajo, duke theksuar se “vëmendja nuk duhet të shpërqendrohet nga ajo që është me të vërtetë e nevojshme në këtë kohë, që është pajisja e Bundesëehr-it që të jetë në gjendje të mbrohet.”

Znj. Stark-Wächinger mori mbështetjen e përfaqësueses së Partisë Liberale (FDP) për Arsimin Rhea Schroeder për propozimet e saj. “Fëmijët dhe të rinjtë duhet të përgatiten për kriza dhe luftëra në shkollë. Si sillemi kur ndodh një krizë. Ata duhet të mësojnë edhe ndihmën e parë”, tha zonja Schröder, ndërsa presidenti i Shoqatës së Mësuesve Gjerman, Stefan Dull, theksoi se “është detyrë e shkollës që me ndershmëri të përcjellë tek fëmijët dhe të rinjtë sfidat e kohës

Nga ana e Partisë Social Demokrate (SPD), kryetarja e Konferencës së Ministrave të Arsimit të Landeve, Christine Streichert-Klievot, e quajti propozimin e ministres së arsimit “shumë kufizues”.

“Fëmijët dhe të rinjtë duhet të përgatiten më gjerësisht për të ardhmen. Dhe nëse vitet e fundit na kanë mësuar diçka, është se nuk ka vetëm një krizë për të cilën mund dhe duhet të përgatitemi. Pandemitë, luftërat, fatkeqësitë natyrore, ndryshimet klimatike, ndryshimet e thella në shoqëri dhe ekonomi…” tha zonja Streichert-Klievot.

Zonja Stark-Wächinger “duhet të fokusohet më shumë në strukturat bazë të sistemit arsimor, duke gjykuar nga rezultatet e dobëta të sondazhit të PISA-s. Progresi është urgjentisht i nevojshëm në shumë çështje arsimore. Por jo nxitja e frikës me retorikë luftarake”, tha kryetari i Komisionit të Arsimit të Bundestagut, Kai Gehring (Të Gjelbërit).

Në të njëjtën linjë, kreu i grupit parlamentar të së majtës, Heidi Reichinek, bëri thirrje për më shumë investime në arsim dhe mbulimin e mangësive te mësuesit. “Për këtë duhet të kujdeset ministri i Arsimit, në vend që të nxisë frikën e luftës nëpër shkolla”, tha ai./Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re