Shkrimtari i njohur, Agron Tufa, vazhdon denoncimet e tij për krimet e periudhës së komunizmit. Këtë herë ai ka publikuar emrat e shkrimtarëve që kanë bërë ekspertizën e poetit Visar Zhiti, ekspertizë që e çoi këtë të fundit në burg.

Dy shkrimtarët që i kanë bërë ekspertizën janë Pandeli Koçi dhe Ramazan Vozga.

“Një pyetje që duhet ngritur. Këta që kanë emrat poshtë akt-ekspertizës, që çoi në burg poetin Visar Zhiti, a u detyrohen lexuesve një shpjegim, se si ndodhi? Meqë jane figura publike dhe i shohim nëpër tubime, apo jo? Të mos thonë: i kemi sqaruar këto gjëra me Visarin (kjo është tjetër gjë), por të na sqarojnë njëherë e mire ne, publikisht (dhe kjo është një gjë krejt tjetër)… Përndryshe, pyetja mbetet e ngritur, sapo shfaqet prezenca e tyre në publik,”shkruan Tufa.

Shtatë vjet më parë, Mapo publikoi pjesë nga libri ‘Ferri i çarë’ i Zhitit.

Mes rreshtave, ai flet edhe për Ramazan Vozgën.

“Me poezinë s’po më ecte mbarë fare. Përgjigjet nga redaktori tjetër përgjegjës, Ramazan Vozga, më vinin gjithmonë e më skëterrore. Ashtu po bëheshin edhe pritjet e tij. Mos m’i sill më kështu, me gabime të rënda ideore. S’kam ç’bëj, s’na lë Plenumi IV i Partisë. Në futboll, Lushnja jote na rrafi, jam tifoz i çmendur. E pe neshjen? Jo. Dhe mos shkruaj ashtu. Pse, mor jahu? Sill poezi që botohen. Do libër apo ça?”shkruante Zhiti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re