Dhe një finale tjetër për Realin e Madridit në veprimtarinë më me prestigj në Europë të futbollit të klubeve. Eshtë ajo e katërta në pesë sezonet e fundit, dhe e treta rresht.

Kështu, njëra prej gjysmëfinaleve të Champions League-s për këtë sezon ka prodhuar finalistin e parë. Për Realin nuk ka qenë aspak e lehtë, madje i është dashur një gabim trashanik i portierit të Bajernit të Mynihut, përndryshe gjithçka mund të kishte shkuar keq në “Santiago Bernabeu”.

Bajerni i Mynihut bëri një figurë mjaft të mirë në gjysmëfinalen e dytë, sido që e kishte humbur të parën 1-2. Këmbënguli gjer në fund por nuk ia doli. Barazimi 2-2 shërbeu vetëm për të frenuar vargun e humbjeve në vite ndaj Realit në të njëjtin aktivitet.

Heroi i madrilenëve qe Benzema. Francezi i shënoi dy golat për vendasit, dhe meritoi duatrokitjet e publikut në daljen nga loja, ndryshe nga fërshëllimat që e kanë shoqëruar në muajt e fundit.

Kimmich u dha shpresë bavarezëve me golin e minutës së 3-të, por në nisjen e pjesës së dytë ata e panë veten në humbje pas gabimit të portierit Ulreich. Një ish-lojtar i Realit, James Rodriguez, barazoi shifrat në minutën e 63-të.

Gjithë pjesa e mbetur e lojës ishte e mbizotëruar nga sulme të njëpasnjëshme të Bajernit, gjithsesi të pasuksesshme. Kjo si për meritë të mbrojtjes së Realit, aq dhe për një paraqitje të dobët të Lewandowski-t, sulmuesit kryesor të bavarezëve, apo dhe të pafuqisë së Ribery-së dhe Muller-it.

Rezultati 2-2 çoi përfundimisht Realin e Madridit në finale. Skuadra tjetër finaliste do të mësohet të mërkurën, kur të ndeshen Roma me Liverpulin.        

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re