Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e cilësoi stërvitjen ushtarake amerikane “Defender 2023”, me një rëndësi tepër të madhe dhe të prekshme në situatën aktuale gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, por edhe situatës në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë fjalës së tij gjatë këtij aktiviteti, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama me ambasadoren amerikane Yuri Kim, Begaj u shpreh se vazhdueshmëria e kësaj stërvitjeje është mëse e nevojshme.

Ndër të tjera, Begaj nënvizoi se Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizuers në Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Kreu i Shtetit inkurajoi qeverinë që të rrisë mbështetjen për Forcat e Armatosura dhe kontriburin e Shqipërisë në aleancën ushtarake të NATO-s.

“Dy vite më parë, kur nisëm punën për Defender Europe 2021, e dinim se sfida ishte shumë e madhe për kapacitetet e vendit tonë. Megjithatë, ne arritëm të tregojmë se dimë të ngrihemi me përgjegjshmëri në lartësinë e detyrës dhe se Shqipëria jonë e vogël në fakt, rreh më shumë se pesha e saj. Më vjen shumë mirë që mblidhemi përsëri në Shqipëri, për t’iu konfirmuar edhe një herë, mbështetjen tonë të palëkundur dhe gatishmërinë e vendit tonë për të instensifikuar gjithmonë e më tej, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Defender Europe lindi si një stërvitje, për të rritur kapacitet mbrojtëse të aleancës, në rast konflikti apo kërcënimi.

Me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe nga ai i dy viteve më parë dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse. Këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në rajonin tonë të brishtë, të Ballkanit Perëndimor, ku aktorë dashakeqës, që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne, përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre. Prandaj edhe rëndësia e kësaj stërvitjeje është sot më e prekshme se kurrë dhe vazhdueshmëria e saj, më se e nevojshme. Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizuers në Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Në pozitën time si Komandant i Përgjithshëm, inkurajoj qeverinë të shtojë akoma më shumë mbështetjen për FA dhe kontributin e Shqipërisë në NATO. Çdo investim drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit”, theksoi ai./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re