Bolsanaro, presidenti brazilian i rënë nga pushteti, konsiderohej si një Trump i Amerikës Jugore. Dhe për ta përforcuar këtë, njësoj si me Trump-in në janarin e 2021-shit, edhe përkrahësit e Bolsanaros kanë sulmuar Kongresin e vendit të tyre si dhe Pallatin Presidencial.

Pas në pushtet u rikthye i majti Lula, mijëra mbështetës të ish-presidentit të ekstremit të djathtë të Brazilit, sulmuan selitë kryesore të pushtetit politik në kryeqytetin brazilian të dielën – Kongresin, Gjykatën e Lartë dhe Pallatin Presidencial Planalto – duke shkaktuar dëme të mëdha, raportojnë mediat lokale.

Mbështetësit e Bolsonaros po protestojnë kundër kthimit në pushtet të presidentit të majtë Luiz Inacio Lula da Silva, i cili mundi Bolsonaron në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 30 tetor të vitit të kaluar. Mediat lokale vlerësojnë se në protesta marrin pjesë rreth 3000 persona.

Pamjet televizive treguan protestuesit që thyenin mobiljet brenda Gjykatës së Lartë dhe Kongresit, në një sulm ndaj institucioneve që të kujtojnë pushtimin e Capitol-it të SHBA më 6 janar 2021 nga mbështetësit e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Shumë protestues po kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve të 30 tetorit, në të cilat majtisti Lula da Silva mundi Bolsonaron. Ish-presidenti shpesh ka vënë në dyshim, pa prova, besueshmërinë e sistemit elektronik të votimit të vendit dhe shumë nga mbështetësit e tij të vendosur e besojnë atë.

Bolsonaro u largua nga Brazili për në Florida 48 orë para përfundimit të mandatit të tij.

Lula, i cili mori detyrën si president më 1 janar, ishte në Sao Paulo në një turne fundjave në brendësi të vendit.

Partia e Punëtorëve të Lulës i kërkoi Zyrës së Kryeprokurorit Publik që të urdhërojë forcat e sigurisë publike të veprojnë për të frenuar protestuesit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re