Ndryshe nga Tirana, ku një pjesë e aktorëve të Teatrit Kombëtar janë rebeluar ndaj mosprishjes së godinës, siç qeveria ka paralajmëruar, në Prushtinë kolegët e tyre kanë tjetër hall. Këta të fundit paralajmëruar se prej ditës së parë të majit do t’i rikthehen grevës dhe do të bëjnë bllokim total të këtij institucioni. Kërkesa e tyre vazhdon të jetë e njëjtë: rritja e pagave.

Në tetor të vitit të kaluar i kishin dhënë dhjetë ditë afat Ministrisë së Kulturës që t’i plotësonte kërkesat e tyre. Pas një marrëveshjeje me ministrin Kujtim Gashi, aktorët pezulluan grevën. Marrëveshja verbale midis MKRS-së dhe aktorëve është shkelur, pasi që u ishte premtuar qysh në shkurt se do t’i merrnin pagat me rritje. Krejt kjo çështje është bllokuar për shkak të Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, e cila ende nuk është finalizuar.

Aktori Shkelzen Veseli, pjesëtar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë për “Koha Ditore” se nga takimi i fundit që kanë pasur me zyrtarë të MKRS-së e kanë kuptuar se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

Prandaj të martën, më datën 1 të muajit maj, pritet që aktorët të bllokojnë totalisht punën në TKK. Rifillimi i grevës së tyre përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kur edhe është organizuar një protestë nga shoqëria civile. /teshesh.com/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re