Kosova po kujton sot përvjetorin e masakrës së Reçakut, një ngjarje që tronditi opinionin ndërkombëtar atë kohë dhe që u bë shkak për atë që do vinte më vonë, ashpërsimin e situatës deri në nisjen e një spastrimi etnik nga forcat serbe dhe reagimin e NATO-s me bombardime ndaj Serbisë, derisa kjo e fundit u tërhoq nga Kosova.

Më konkretisht, në Reçak të Shtimes, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, ndodhur më 15 janar të vitit 1999.

Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.

Siç shkruan REL, trupat e të vrarëve u vendosën në xhaminë e fshatit nga familjarët, por policia serbe nuk e lejoi varrimin.

Ata i morën trupat e viktimave nga xhamia dhe i dërguan në Prishtinë autopsi, duke deklaruar, siç ishte gatuar skenari, se ngjarja nuk kishte të bënte me masakër.

Në deklaratat zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se viktimat ishin pjesëtarë të UÇK-së, që ishin vrarë në luftime.

Por kjo u hodh poshtë në një raport nga një ekip finlandez, nën udhëheqjen e ekspertes Helena Renata.

Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton, e dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë, pa u vënë aspak në dyshim autorësia. Tek e fundit, Bosnja ishte dëshmi e qartë se në ç’shkallë mizorie kishin arritur serbët.

Pas gati një muaji, më 11 shkurt, 1999, në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.

Dhe kur kanë kaluar mbi dy dekada nga masakra, për këtë rast nuk është dënuar drejtpërsëdrejti askush. Ndërkohë, Beogradi mohon autorësia e saj.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë më 15 janar, 1999, ishte pjesë e aktakuzës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë ndaj Sllobodan Millosheviçit, Millan Millutinoviçit, Nikolla Shainoviçit, Dragolub Ojdaniçit dhe Vllajko Stojilkoviçit.

Gjykata i akuzonte këta persona për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë në Kosovë, ndërsa në mënyrë specifike përmendej vrasja e së paku 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.

Siç raporton REL, përgjegjësia në lidhje me masakrën e Reçakut përmendet në aktvendimin dënues të Gjykatës së Hagës për gjeneralin e policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviç, i cili u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës: për dëbim të dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës, zhvendosje të dhunshme, vrasje, tranportim të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi, përndjekje racore të shqiptarëve të Kosovës dhe shkelje të ligjeve dhe traditave të luftës.

Në dokumentet e Gjykatës së Hagës thuhet se Gjorgjeviç luajti rol udhëheqës në përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për të fshehur vrasjen e 45 civilëve në Reçak, në janar të vitit 1999.