Reçaku, mesazh amerikan ndaj Beogradit

recak-750x389-1.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Kjo e shtunë shënon 23 vite nga Masakra e Reçakut në Kosovë, ku më 15 janar 1999 u vranë 45 shqiptarë të zakonshëm, fshatarë të disa moshave, të rinj e pleq, gjë që shënoi bindjen e ndërkombëtarëve se duhej ndërhyrë me patjetër në Kosovë ndaj forcave serbe.

Ishte shefi i atëhershëm i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Ëilliam Ëalker, i cili e pat cilësuar masakrën në fjalë si krim kundër njerëzimit dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë.

Vitet e fundit, kjo ngjarje e rëndë që shenjoi dhe ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi atë çfarë po ndodhte në Kosovë, për t’u pasuar nga bombardimet e NATO-s, është kthyer në debat mes Kosovës dhe Serbisë, pasi zëra nga Beogradi, ku veçon Aleksandër Vulin, e quajnë atë një sajesë.

Ndaj, ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke e përkujtuar këtë ngjarje, tha se “pranimi i të vërtetës së të kaluarës është vetëm hapi i parë kah drejtësia”.

Askush të mos harrojë ose mohojë se çka ndodhi këtu ose përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë u ngritën në mbrojtje të popullit të Kosovës”, tha Hovenier.

Ai citoi ish-Presidentin Clinton që në atë kohë do thoshte: “Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim që synonte të mbillte frikë te populli i Kosovës”.

Gjithashtu, presidentja Vjosa Osmani shkruan:

“Sot në vendin e ngjarjes, te Kodra e Bebushit, aty ku ndodhi masakra në Reçak, dëgjuam rrëfimet e tmerrit të të mbijetuarve të masakrës. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, në një aktivitet përkujtues, tha ndër të tjera: “Mohimi i gjenocidit përpiqet të riformësojë historinë në mënyrë që të demonizojë viktimat dhe të rehabilitojë autorët. Mohimi i gjenocidit është faza e fundit e gjenocidit. Është ajo që Elie Wiesel e ka quajtur një ‘vrasje e dyfishtë’.

Mohimi vret dinjitetin e të mbijetuarve dhe kërkon të shkatërrojë kujtimin e krimit. Në një shekull të rrënuar nga gjenocidi, ne pohojmë domosdoshmërinë morale të kujtimit.

Ne jemi kundër hakmarrjes. Ne duam drejtësi. Dhe, ne refuzojmë të harrojmë”.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë