Detyrimet e qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike për faturat e papaguara të energjisë elektrike ndaj kompanisë OSHEE Group janë reduktuar me rreth 2 miliardë lekë, gjatë periudhës janar-prill 2024.

Krahasuar me 4-mujorin e parë 2023, kemi një reduktim me 3%; peshën kryesore në zbutjen e borxhit e kanë dhënë subjektet private, si dhe klientët familjarë.
Ofrimi i skemave lehtësuese për shlyerjen e debive të akumuluara ndër vite, është njëra ndër arsyet e zbritjes së vlerës së borxhit që klientët familjar/jofamiljar, buxhetor dhe jobuxhetor kanë ndaj OSHEE Group.

Faktor tjetër janë masat organizative që grupi OSHEE ka ndërmarrë me strukturat e terrenit për “ndjekjen e debitorëve”, por edhe ndërgjegjësimi i abonentëve, nisur nga investimet në rrjetin elektrik dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit në furnizimin me energji elekritike.
Për periudhën janar-prill 2024, të parët në likuidimin e detyrimeve të prapambetura ndaj kompanisë OSHEE janë klientët privatë, me 14% reduktim të borxhit, ose afërsisht 1.6 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Borxhi ndaj OSHEE i klientëve familjarë zbriti me 2%, kurse borxhi i institucioneve buxhetore me 0.3%.
Në total, borxhi ndaj OSHEE Group, nga të katër kategoritë: familjar, privat, buxhetor dhe jo-buxhetor, deri në fund të muajit prill 2024 arriti në 78.8 miliardë lekë, nga 80.89 miliardë, që ishte në të njëjtën periudhë në vitin 2023.
Referuar statistikave ndër vite, me zbatimin e reformave në sistemin energjetik dhe mundësive që u ofruan nga kompania për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, përmes kësteve lehtësuese, duke përfituar dhe reduktim të kamatëvonesës, borxhi ka ardhur në rënie.
Në raport me 10 vitet e fundit, kur nisi zbatimi i reformës, kemi reduktim të borxhit me rreth 17 miliardë lekë.
Shuma e prapambetur e detyrimeve ndaj kompanisë OSHEE, pritet të reduktohet më tepër përgjatë këtij viti, me rikthimin e skemës së shlyerjes së debisë për faturat e papaguara të energjisë deri më 31 dhjetor 2022.
Deri më tani, numërohen mbi 1628 aktmarrëveshje të firmosura mes klientëve debitorë familjar/privat, buxhetorë/jobuxhetorë dhe kompanisë OSHEE Group.
Ftojmë klientët tanë të bëhen pjesë e këtij procesi, me qëllim reduktimin e borxhit të akumuluar, përmes skemave tona lehtësuese të shlyerjes së debisë me këste, duke përfituar reduktim të kamatëvonesave deri në 100 % për biznesin e vogël.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re