Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për kthimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, por këtë nuk mund ta bëjnë, përderisa të dyja palët nuk vendosin t’i rikthehen dialogut.

 

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker ka konfirmuar se SHBA është në gjendje që të përfshihet në dialogun e Serbisë dhe të Kosovës.

 

“Shtetet e Bashkuara janë absolutisht të gatshme të përfshihen (në dialog), kam folur për këtë me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Ne duam të shohim një ndryshim. Por, ne nuk mund ta bëjmë këtë për ju. Kosova dhe Serbia duhet të vendosin së bashku rreth gatishmërisë së tyre për t’u kthyer në dialog. Ne punojmë ngushtë me partnerët e BE-së”.

Zyrtari më i lartë i Departamentit të Shtetit, që merret me Ballkanin, tha se beson se ka gatishmëri për të gjetur një zgjidhje nga të dyja anët dhe kështu të kontribuojnë në stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.

 

“Unë inkurajoj që Serbia dhe Kosova të gjejnë një mënyrë dhe të kthehen në negociata, kështu do të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve tanë në Evropë për të arritur një marrëveshje përfundimtare nëpërmjet dialogut. Unë e di se mund ta bëjnë këtë”.

 

Diplomati amerikan si një “model për zgjidhjen e çështjeve në rajon”, përmendi shembullin e udhëheqësve të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut të cilët arritën një marrëveshje për emrin. Ai vlerësoi se sfidat e rajonit mund të kapërcehen me mbështetjen e SHBA dhe BE-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re