Serbët e Kosovës nuk do lejohen të votojnë në një referendum të organizuar nga Beogradi për çështje të brendshme serbe.

Kështu vendosi Kuvendi i Kosovës me anë të një resolute, pasi u thirr për votim nga kryeministri Kurti.

Seanca u braktis nga Lista Serbe, pasi nën kryetari i saj Igor Simiç tha se tema e rendit të ditës tashmë ka epilogun e saj, sepse “duket se vendimi tashmë është marrë” dhe se seanca është vetëm një farsë.

“Sot do të miratohet një akt që mohon të drejtat themelore njerëzore dhe demokratike të popullit serb në Kosovë dhe Metohi. Me ndalimin e serbëve që të votojnë në referendumin e së dielës, kjo qeveri do të vazhdojë një sërë lëvizjesh antiserbe”, deklaropi Simiç.

Kurti fillimisht lexoi përmbajtjen e projekt-rezolutës, ku thuhet se Kuvendi i bën apel qeverisë që të marrë të gjitha masat për të parandaluar cenimin e “integritetit dhe sovranitetit”.

Me këtë rezolutë, tha Kurti, Kuvendi synon si përfaqësues i qytetarëve të shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit dhe hapja e vendvotimeve në Kosovë, siç tha ai, cenon sovranitetin.

Kurti pohon se askush nuk e cenon të drejtën e votës së qytetarëve, se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe ka përsëritur se serbët mund të votojnë me postë ose përmes Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Ai përsëriti se serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë do të kenë të drejtën e votës në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse, dhe se hapja e vendvotimeve serbe në Kosovë do të jetë shkelje e qartë e Kushtetutës së Kosovës.

Ai po ashtu tha se Kushtetuta e Kosovës, ligjet aktuale të Kosovës, si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare “nuk ia njohin të drejtën një shteti për të mbajtur referendum për territorin sovran të një shteti tjetër”.

Ai përsëriti kërkesën e tij ndaj komunitetit ndërkombëtar që për Kosovën të zbatohen të njëjtat standarde si për çdo vend tjetër, duke thënë se pavarësia e Kosovës është njohur jo vetëm nga shumica e vendeve demokratike të botës, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Të dielën qytetarët serbë do të shkojnë në një referendum për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë që synon forcimin e pavarësisë dhe efikasitetit të gjyqësorit, parakusht për reformat në procesin e integrimit evropian.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re