Ministri spanjoll i Drejtësisë, Rafael Catala, deklaroi të hënën se Madridi do të përdorë fuqinë kushtetuese në rast se Katalonja shpall pavarësinë.
Duke iu referuar nenit 155. të Kushtetutës së Spanjës, i cili autorizon Madridin zyrtar të pezullojë autonominë e Katalonjës, Rafael Catala njoftoi se mund “të ngrijnë” autonominë e këtij rajoni nëse bëhet shpallja e njëanshme e pavarësisë.
Ndërkaq, Komisioni i Bashkimit Evropian bëri me dije se referendumi i së dielës në Katalonjë “nuk është legjitim”.
“Duhet të zgjidhet rruga e dialogut”, theksoi Komisioni Evropian duke e cilësuar referendumin katalonas si “problem të brendshëm të Spanjës”.
Shpallur më herët si i jashtëligjshëm nga Gjykata Kushtetuese në Madrid, referendumi në Katalonjë u bë skenë e ndërhyrjes së ashpër të forcave spanjolle të sigurisë.
Autoritetet e qeverisë autonome katalonase thanë se 844 persona janë plagosur dhe 3 të tjerë janë ndaluar nga policia dhe xhandarmëria gjatë ndërhyrjeve të tyre ndaj qendrave të votimit dhe mbështetësve të pavarësisë.
Pavarësisht gjithë këtyre incidenteve, zyrtarët dhe vendet e BE-së, që e konsiderojnë çështjen si “problem të brendshëm të Spanjës”, iu shmangën deklaratave kritikuese apo dënuese të dhunës policore.
Kreu i rajonit autonom të Katalonjës, Carles Puigdemont, deklaroi se referendumi i së dielës, i shënuar nga dhuna, i hapi dyert shpalljes së njëanshme të pavarësisë.
“Me këtë ditë shprese dhe vuajtjeje, qytetarët katalonas fituan të drejtën e një shteti të pavarur dhe të krijimit të republikës. Në ditët e ardhshme, qeveria ime do t’ia çojë rezultatin e votimit Parlamentit të Katalonjës, ku qëndron sovraniteti i popullit tonë, në mënyrë që ai të veprojë në përputhje me ligjin e referendumit”, tha Carles Puigdemont.
“Bashkimi Evropian nuk mundet të heqë më sytë e të shohë nga ana tjetër. Katalonja s’është më një çështje e brendshme, por një çështje evropiane”, shtoi Puigdemont duke kërkuar hapa ligjore kundër qeverisë në Madrid, e cila, sipas tij, duhet të përgjigjet për dhunën e së dielës.
Të shumta ishin edhe reagimet e autoriteteve nga vende të ndryshme evropiane në lidhje me referendumin.
Zëvendësministri gjerman i Punëve të Jashtme, Michael Roth, tha se “separatizmi nuk i zgjidh problemet”.
Kurse shefi i diplomacisë britanike, Boris Johnson, iu shmang një deklarate, e cila mund të konsiderohej një dënim i drejtpërdrejtë i dhunës policore.
“Jemi të shqetësuar për shkak të dhunës. Por, me sa unë kuptoj, referendumi nuk është kushtetues. Prandaj duhet gjetur një ekuilibër. Shpresojmë që ngjarjet do të qetësohen”, u shpreh ai.
Jeremy Corbyn, lider i Partisë Laburiste britanike në opozitë, tërhoqi vëmendjen nga ana e tij se dhuna policore është “tronditëse” dhe i kërkoi Kryeministres Theresa May që t’i bëjë thirrje homologut spanjoll, Mariano Rajoy, për t’i dhënë fund dhunës policore.
“Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Dënojmë çdolloj dhune dhe përsërisim apelin tonë për dialog politik”, shkroi nga llogaria e tij në median sociale Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel.
Ndërsa ministri katalonas i Punëve të Jashtme, Raul Romeva, vuri në pah se incidentet e së dielës në Katalonjë janë një shembull i rasteve serioze të shkeljes flagrante të së drejtave të njeriut.
“Kjo është kërcënim për Bashkimin Evropian”, shtoi ai duke i kërkuar Brukselit dhe vendeve anëtare të Unionit që të reagojnë.
Në prononcimet e tyre të mëhershme lidhur me referendumin në Katalonjë, autoritetet e BE-së kishin nënvizuar se kjo ishte një çështje e brendshme e Spanjës.
“BE-ja është e detyruar të respektojë vendimet e qeverisë spanjolle dhe Kushtetutën e Spanjës”, kishte vlerësuar më parë Brukseli duke bërë me dije se Bashkimi Evropian mund ta mbështesë pavarësinë e Katalonjës vetëm në rast se referendumi mbahet në përputhje me Kushtetutën e Spanjës dhe nëse ai s’do të përbënte shkelje nga ana ligjore.
Qeveria e krahinës autonome të Katalonjës njoftoi se 90 për qind e votuesve në referendumin e jashtëligjshëm të së dielës kanë mbështetur pavarësinë e këtij rajoni.
Siç parashikohet, 48 orë pasi t’i jetë paraqitur vendimi i dalë nga referendumi në favor të pavarësimit, Parlamentit katalonas do të shpallë pavarësinë në mënyrë të njëanshme dhe njoftojë fillimin e negociatave me Madridin zyrtar për shkëputjen nga Spanja.
Por nuk pritet që të arrihet ndonjë rezultat, pasi qeveria spanjolle nuk e njeh këtë referendum.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re