Me qindra qytetarë serbë të Kosovës po kalojnë kufirin në Serbi për të marrë pjesë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës, pas vendimit të Kuvendit të Kosovës që jua ndaloi që këtë proces ta kryenin fizikisht në territorin e Kosovës, duke instaluar qendra votimi.

Për këtë arsye, në mëngjes herët, në anën veriore të Mitrovicës, serbët mbajtën një protestë të drejtuar nga kreu i Listës Serbe, njëherësh ministër në qeverinë “Kurti”, Goran Rakiç.

Rakiç tha se do të vendosin reciprocitet në veri të vendit nëse qeveria e Kosovës nuk e lejon mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit.

Sipas tij, ky lloj reciprociteti do të bëhet vetëm në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqit dhe Zveçanit, duke shtuar se më pas do të vendoset edhe në komunat tjera.

Ndërkohë, një pjesë e protestuesve që kërkonin të lejohet votimi në referendumin e Serbisë kanë improvizuar sikur janë duke votuar për këtë referendum.

Serbia bëri thirrje për votim referendar të serbëve që jetojnë në Kosovë, por autoritetet në Prishtinë thanë se nuk e njeh të drejtën e një shteti tjetër për të mbajtur referendum në territorin e një shteti tjetër sovran.

Serbët do të votojnë këtë të diel për disa amendamente të Kushtetutës ku përcaktohet mënyra se si zgjidhen gjykatësit dhe prokurorët me qëllim sigurimin e një sistemit të pavarur juridik, si kusht për anëtarësimin në BE.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re