Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka mbajtur këtë të enjte fjalën në seancën plenare të Parlamentit Europian, lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë në BE pas votimit të pritshëm të 30 shtatorit. Ai e quajti këtë një moment historik .
“Jam i nderuar per ftesën tuaj, per popullin tone është moment historik qe nje kryeministër i vendit tone te mbaje fjalim ne gjuhen e tij amtare. Po ndihem si ne shtëpi. Populli ne vendin tone është ne nje udhëkryq te madh, para disa javëve morëm nje inkurajim te madh nga ju duke treguar mbështetje te referendumit te 30 shtatorit. Qytetaret e dine se cfare vendimin te marrin. Do te jemi Republika e Maqedonisë Veriore, por me gjuhe dhe identitet te pranuar.”
Eurodeputetët treguan mbështetjen e tyre me një duartrokitje të gjatë në përfundim të fjalimit.
Ndërkohë në vigjilje të referendumit të 30 shtatorit liderët politikë nga rajoni e bota vijojnë të zhvillojnë takime intensive për të siguruar votën pro që do të sjelle ndryshimin e emrit të vendit.
Këtë të enjte në Shkup ndodhet ndihmës sekretari amerikan i shtetit Wes Mitchell i cili takoi ministrin e jashtëm Nikola Dimtrov. Ai përsëriti mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO dhe BE, duke mirëpritur përpjekjet për zgjidhjen e çështjes se emrit. Diplomati Mitchell tha se pret një referendum të suksesshëm dhe zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë.
Edhe kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati, ne ditën e dytë të vizitës ne vendin fqinj, takoi zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Bujar Osmani. Ai theksoi se qytetarët duhet të mbështesin referendumin.
Në mbrëmje në Shkup do të mbërrijë zyrtarja e lartë e Bashkimit Europian Federica Mogherini. Ajo do te takohet me të gjithë liderët e institucioneve, si dhe me opozitën për një tjetër mesazh mbështetës për votën pro të 30 shtatorit.
.



