Nga: Sali Shasivari

Si rezultat i dobësimit të lidhjes së mirëfilltë me Krijuesin, zbehjes së bindjes ndaj Fesë së Vërtetë, shterrjes së ‘burimeve’ të jetës, humbjes së ‘modelit’, prishjes së ekuilibrave, etj., nga njëra anë… dhe, si rezultat i tentativave të vazhdueshme për zëvendësimin e të njejtave me ‘idhuj’ nënshtrues, ‘figura’ satanike, ‘ideologji’ shkatërruese, ‘platforma’ nihiliste, dhe ‘agjenda’ apokaliptike…; njerëzimi i sotëm, çdo ditë e më tepër, po zhytet në kriza të thella në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë këtu krizën morale dhe atë të vlerave!

Kjo, ngase, besimi në Zotin Një, dhe bindja ndaj Fesë së Vërtetë, janë burim i vetëm i normave morale dhe vlerave të vërteta, si dhe mbrojtës dhe garantues të vetëm të ekzistimit, jetësimit dhe mbijetesës së të njejtave… Dhe, se, me zbehjen e besimit në Zotin Një, dhe venitjen e bindjes ndaj Fesë së Vërtetë, normat morale vyshken dhe zhduken, ndërsa vlerat ‘evoluojnë’ dhe shndërrohen në antivlera…!

Morali është bindje dhe e vërtetë e mbjellur dhe e ngulitur thellë në natyrën e pastër njerëzore që në momentin kur u caktua krijimi i njeriut në këtë botë…

Kështu, shumica e dijetarëve islam të cilët kanë studjuar filozofinë e moralit, në mesin e të cilëve do të veçojmë mendimtarin e njohur Alija Izetbegoviç, dhe filozofin e njohur bashkëkohor Taha Abdurrahman, thonë se: “Morali, sikurse edhe devijimi moral, janë tipare ekskluzive të njeriut…; dhe se, për një fenomen të këtillë, nuk mund të gjehet shpjegim i mirëfilltë përpos përmes shpjegimit fetar dhe metafizik”. Kjo, ngase, “morali kërkon zgjedhjen e lirë dhe të vetëdijshme të së mirës, dhe refuzimin e së keqes…”… Madje, “Feja është djepi i moralit, dhe esenca prej së cilës është degëzuar ai (morali)… gjegjësisht, është dhuratë e Zotit ndaj robërve të Tij, si mëshirë dhe mirësi për to”… Së këndejmi, “nuk mund të ketë sistem moral pa ekzistimin e Zotit”… (A. Izetbegoviç), dhe se: “Feja erdhi me qëllim të vërtetimit të këtij morali, dhe shpjegimit të mënyrës së të punuarit në suaza të tij dhe praktikimit të të njejtit”… (Alija Izetbegoviç dhe Taha Abdurrahman)

“Studimet arkeologjike dhe studimet mbi civilizimet dhe popujt e mëhershëm, vërtetojnë faktin se, hyrja e njeriut në histori nuk ka qenë e njejtë sikurse hyrja e krijesa tjera dhe kafshëve; përkundrazi, hyrja e tij ka qenë e veçantë dhe speciale, edhe atë, ngase, ai (njeriu) u dallua me tipare të veçanta njerëzore dhe me vlera të çuditshme morale; d.m.th. ka hyrë me një kapital moral”… Madje, “morali, sikurse vet natyra e njeriut, janë kuptime metafizike”… “Kjo, ngase, njeriu, në suaza të natyrës së prekshme nuk është njeri, porse, gjallesë që posedon mendje… Poashtu, edhe morali, në suaza të natyrës së prekshme nuk është moral, porse, një lloj egoizmi”… (A. Izetbegoviç)

Andaj, “është e pamundur themelimi i normave morale jashta sferës së fesë; kjo, ngase, feja është djepi në të cilin u krijua dhe zhvillua njerëzimi në të gjitha fazat e saj të hershme dhe të amshueshme, dhe se ajo (feja) është burimi prej të cilit morali i merr përmbajtjet dhe kuptimet e tij… Kështu, nuk ka moral pa fe, ashtu sikurse që nuk ka njeri pa fe… Feja është referenca kryesore për dallimin në mes ‘të bukurës’ dhe ‘të shëmtuarës’, si dhe, në mes të mirës dhe të keqes…”. Shkaku qëndron në atë se, “enigma njerëzore filloi në momentin e krijimit; moment qiellor dhe veprim hyjnor ky, i cili, i parapriu historisë njerëzore; dhe se, shkenca, mendja dhe përvoja, si të vetme, nuk janë në gjendje që të na ofrojnë të kuptuar më të mirë të këtyre realiteteve”. Për më tepër, “morali ka të bëjë me ‘vendime të zemrës’, jo me ‘vendime të trurit’”… (A. Izetbegoviç)

Kështu, “shkenca nuk është në gjendje të krijojë / ndërtojë / ngritë asnjë vlerë morale, pasi, vlerat nuk ju nënshtrohen eksperimenteve, e që shkenca të jetë në gjendje t’i kuptojë dhe të krijojë ligje përkitazi me to; porse, ato (vlerat) janë jashta domenit shkencor (janë çështje metafizike)… Është e vërtetë se shkenca mundohet të japë përgjigje ndaj pyetjeve të përhershme dhe përfundimtare, e të cilat kanë të bëjnë me Zotin, përjetësinë, lirinë, etj., mirëpo, për rezultat kemi, ose përgjigje të gabueshme, ose zhgënjim, edhe atë, si rezultat i pamundësisë së trurit njerëzor në ofrimin e përgjigjeve bindëse. Kështu, shkenca e largon fenë, mirëpo, në anën tjetër nuk arrin dot ta plotësojë vendin e saj”. (A. Izetbegoviç)

Andaj, “çdo tentativë për ngritjen e moralit në baza të kufizuara logjike, është e destinuar të dështojë; kjo, ngase, mendja, e cila konsiderohet pjesë automatike në qenien njeri, nuk është në gjendje të zbulojë, përpos gjërave që janë të natyrës njerëzore dhe mekanike” (A. Izetbegoviç dhe T. Abdurrahman).

Madje, “njeriu, edhe nëse korr sukses në themelimin e një ‘platforme morale’ në baza të qasjes logjike, një gjë e këtillë nuk është gjë tjetër, përpos një grumbull i rregullave sociale / shoqërore” (T. Abdurrahman), apose, “rregulla të domosdoshme të sjelljes për mbrojtjen e një grupi të caktuar, gjë kjo e cila, në realitet, paraqet një lloj të sistemit shoqëror’. (A. Izetbegoviç)

Prandaj, “sjellja e njeriut në suaza të këtyre rregullave nuk konsiderohet sjellje morale, ngase, kjo sjellje nuk bëhet për qëllime / parime të larta dhe madhore, porse sjellja e tillë ka për qëllim realizimin e interesit personal, nën parullën e obligimeve dhe detyrave shoqërore. Kjo, ngase, i ashtuquajturi ‘interes i përgjithshëm’, në realitet është ‘interes personal’, që barazohet në aspektin e egoizmit dhe jomoralitetit” (T. Abdurrahman). Ndërsa, “’sjellja shoqërore’ nuk mund të shndërrohet në ‘normë morale’, përpos nëse bazohet në ‘obligim’, e jo në ‘interes’; e, një gjë e këtillë nuk mund të realizohet dot, përpos nëse bëhet në emër të Zotit. Kjo, duke u nisur nga fakti se, nocioni ‘moral’ është antonim i ‘interesit’, dhe se nocioni i tillë imponon ekzistimin e Zotit”… “Poashtu, ‘interesi i përgjithshëm’, për dallim nga ‘morali’, nuk mund të jetë interes i gjithë njerëzve, porse, zakonisht, paraqet interes të një grupi të caktuar, qoftë ai grupacion politik, nacional apo shtresor”… “Kjo gjë vërteton faktin se, normat morale dallohen me qëndrueshmëri dhe stabilitet, ngase, ato nuk ndryshojnë me ndryshimin e rregullave, sistemeve shoqërore, mjeteve të prodhimit…etj.”. (A. Izetbegoviç)

Sipas Taha Abdurrahman, “normat morale, të cilat pretendohet se i ka themeluar mendja dhe logjika e pastër perendimore, në realitet, nuk janë rezultat i kreativitetit të saj, por, ato janë të marura në mënyrë indirekte nga feja, duke i ndarë ato nga konteksti fetar, dhe duke i përdorur të njejtat në kontekts të pastër logjik…; kjo, si rezultat i logjikës së kufizuar, e cila nuk është në gjendje që të rezonojë jashtë natyrës së dukshme…”; dhe se, “mendja e ndarë nga e vërteta fetare nuk është në gjendje të zbulojë, përpos gjërave që janë të natyrës njerëzore dhe mekanike… ngase, e njejta refuzon çdo shpjegim metafizik, dhe kufizohet në suaza të ligjeve kauzale shkak-pasojë, të cilat mund të vërtetohen me eksperimente dhe vrojtim…”.

Së këndejmi, sipas A. Izetbegoviç dhe T. Abdurrahman, “‘logjika’ dhe ‘morali’ ju takojnë dy botërave të ndryshme… ‘Logjika’ i takon ‘botës tokësore’, ndërsa ‘morali’ i takon ‘botës qiellore apo shpirtërore’…; ‘logjika’ i takon botës natyrore, ndërsa ‘normat morale’ i takojnë botës së mbinatyrshme… dhe se, natyra dhe logjika nuk janë në gjendje që të bëjnë dallim në mes ‘të bukurës’ dhe ‘të shëmtuarës’, si dhe, në mes ‘të mirës’ dhe ‘të keqes’, ngase, këto kuptime nuk gjenden në natyrë, porse janë kuptime dhe cilësi të botës mbinatyrore, kuptimet dhe realitetet e të cilave nuk i kupton përpos shpirti… Kjo, duke u nisur nga realiteti se, shpirti dallohet për nga aftësia dhe mundësia e tejkalimit të kufijve të logjikës / mendjes, apose kufijve të natyrës dhe materjes…”.

Për më tepër, A. Izetbegoviç dhe T. Abdurrahman konstatojnë se, “çdo përpjekje për të ndërtuar moralin jashta suazave të fesë, përfundon me dy çështje të vetme: ose duke arritur tek të vërtetat morale, të cilat, në pamje të jashtme duken se janë të shkëputura nga feja, por që në thelb kanë origjinë fetare, mirëpo, që filozofët perëndimorë, një origjinë të këtillë e fshehin për arsye historike dhe shoqërore; ose, dalja me ide të reja mbi moralin, ide këto, të cilat, janë largim i qartë nga morali, në emër të filozofisë së moralit…”. (Për më tepër në lidhje me mendimet e këtyre dy dijetarëve përkitazi me këto çështje, shih: https://brill.com/…/edcoll/9789004438354/BP000005.xml…).

Për rrjedhojë, studimet mbi origjinën e ‘moralit’ bënë që, disa filozofë perëndimorë të arrijnë në pozicione të atilla, sa që, e mohojnë ‘moralin’ në esencë, duke shpallur edhe fundin e tij (moralit)!

Kështu, “filozofi gjerman Fridrih Niçe / Friedrich Nietzsche (1844-1900) konsiderohet shembull ideal i këtij lloji filozofësh (në filozofinë morale anarkiste të të cilit u mishëruan të gjitha kuptimet e degjenerimit moral); me ç’rast, ai pohoi se, kriteri i vlerave morale nuk është ‘vullneti i mirë’, siç pohonte Kanti, as ‘mendja e shëndoshë’, siç pohonte Hjumi, e, as ‘feja’, siç pohonin klerikët fetarë, porse, nga këndvështrimi i tij, kriteri i vlerave morale është ‘vullneti për fuqi’, qoftë ajo fuqi materiale apo mendore. Sipas tij, vlera e së mirës apo së keqes që ne ua përshkruajmë veprimeve tona, prapa saj, qëndron ‘dëshira’ / ‘vullneti për fuqi’. Kështu, çdo veprim që na bën të ndjehemi të fuqishëm, superior dhe triumfues, është veprim i mire; dhe anasjelltas, çdo akt i yni që na bën të ndiejmë humbjen e forcës dhe epërsisë, është një veprim i shëmtuar. Ai thotë: ‘e mira’ është gjithçka që tek një person lartëson ndjenjën për fuqi, dëshirën për fuqi, dhe vetë fuqinë; ‘e keqja’ është gjithçka që lind nga dobësia; dhe se, ‘lumturia’ është ndjenja se fuqia po rritet, dhe se çdo rrezistencë është mposhtur”! (Jusri Ibrahim)

“Për Niçen, ekzistenca nuk është gjë tjetër veçse jeta; jeta nuk është gjë tjetër veçse një vullnet; dhe se, vullneti nuk është gjë tjetër veçse vullneti i fuqisë. Sipas Niçes, jeta nuk mund të mbijetojë, përveçse në kurriz të një jete tjetër, sepse, jeta është rritje, dhe ajo është dëshira për të fituar dhe për ta rritur fitimin; e, si e tillë, ajo paraqet vullnet për të sunduar, kontrolluar, poseduar, dominuar dhe nënshtruar. Së këndejmi, ngado që të ktheheni, nuk do të gjeni asgjë përveç vullnetit të fuqisë dhe pushtetit, ngase, ai është motivi i vërtetë në shpirt, është faktori thelbësor në shtet dhe në grup, dhe është sekreti i ekzistencës; andaj, e ardhmja duhet të ndërtohet mbi bazën e saj”. (Abdurrahman Bedevi)

Morali, sipas Niçes, nuk duhet të jetë kundër natyrës, por më tepër me natyrën. Gjithçka që e pengon një person të shijojë jetën sipas natyrës nuk konsiderohet etike. Njeriu duhet të kapërcejë vlerat e rreme fetare, “ai duhet të heqë qafe ndërgjegjen, keqardhjen dhe mëshirën; ndjenja këto të cilat e mbingarkojnë jetën e brendshme të njeriut… andaj, Niçeja thotë: ‘shtypi të dobëtit dhe ngritu mbi kufomat e tyre’”. (A. Izetbegoviç)

“Nëse e analizojmë në thellësi këtë koncept ‘niçean’, do të zbulojmë se ndikimi i mendimit ‘darvinist’ mbi Niçen ishte i pranishëm në masë të madhe. Rezultatet e hulumtimit të Darvinit në fushën e biologjisë janë tejet të pranishme në këtë perceptim. Kështu, në bazë të tezës së Darvinit mbi luftën për mbijetesë, siç thotë A. Izetbegoviç, ‘nuk fiton më i miri (në kuptimin moral), por fiton ai që është më i fortë dhe më i përshtatshëm’”

Niçe e ka mbështetur studimin e tij mbi moralin në këtë bazë darviniane; kështu që, në bazë të saj “morali bëhet një zbatim i thjeshtë i ligjeve të biologjisë dhe pasojave të tyre në shoqërinë njerëzore; bindje kjo e cila rezultoi me flakjen e dashurisë dhe mëshirës / dhembshurisë, si dhe me justifikimin e dhunës dhe urrejtjes”. (A. Izetbegoviç).

“S’do mend se, ky koncept ‘niçean’ i moralit, nxjerr në pah falimentimin e vërtetë moral që goditi në thelb modernitetin perëndimor. Paramendo, në emër të ‘filozofisë së moralit’, ky modernitet doli fare nga morali, për t’u zëvendësuar me ligjin e xhunglës, ose ligjin e biologjisë, i cili nuk i njeh kuptimet e mëshirës, dashurisë, dhe mirësisë…, por, përkundrazi, rregullohet nga ligji i ruajtjes së ekzistencës… Kështu, “nëse njeriu e analizon racizmin nazist, do t’i duket sikurse i njejti del nga mbuloja e Darvinit dhe Niçes”. (A. Izetbegoviç)

Prandaj, filozofia morale e Niçes mund të konsiderohet si një shenjë kryesore e fillimit të rënies së projektit modernist perëndimor, dhe prapambetjes së tij morale; kjo, duke pasur parasysh faktin se, mbijetesa e njerëzimit nuk varet nga ligji i ruajtjes së mbijetesës, por nga ligji i ruajtjes të moralit. (Për më tepër në lidhje me idetë e lartëpërmendura, shih: https://brill.com/…/edcoll/9789004438354/BP000005.xml…).

Me të soditur rrjedhat aktuale globale, duke përfshirë këtu edhe krizën aktuale përkitazi me pandeminë ‘Covid19’, mund lirisht të konstatojmë se, koncepti ‘darvinist’ dhe ai ‘niçean’ vazhdojnë të jenë prezent edhe në ditët e sotme, bile-bile, në mënyrë më të theksuar; ndonëse me metoda dhe mjete tjera…!

Kështu, përskaj shumë skandaleve tjera ‘morale’ të cilat u shpërfaqën përgjatë kësaj krize, edhe skandali racist i dy mjekëve francezë, të cilët kërkuan që vaksinat anti-‘Covid19’ të eksperimentohen dhe provohen së pari tek popujt zezakë të Afrikës (shih: https://www.aljazeera.com/…/medical-colonialism-in…), nuk duhet shikuar si incident i izoluar, por përkundrazi, si manifestim i krizës së thellë morale dhe krizës së vlerave, prej të cilave vuan njerëzimi i sotëm postmodern; kriza këto, të cilat, mohohen, injorohen, dhe maskohen…; dhe të cilat, në vazhdimësi, sa vijnë e thellohen, duke u shpërfaqur dhe manifestuar në forma dhe mënyra të ndryshme dhe tejet të shëmtuara…!

Thotë Allahu i Lartësuar: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat)”. (Kur’an: Sureja Er-Rum, Ajeti 41)

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re