Nga: Sali Shasivari

‘Lufta’ e vazhdueshme dhe e pakompromis në mes të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës, si dhe vlerave dhe antivlerave, është një nga tiparet kryesore të kësaj bote të përkohshme, të stërmbushur me shumë sprova dhe sfida…!

Kështu, mjafton t’i hedhim një shikim të shpejtë historisë së njerëzimit, me ç’rast, do të shohim se, ‘betejat’ në mes të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të padrejtës, si dhe vlerave dhe antivlerave kanë qenë konstante dhe të vazhdueshme…!

Bile-bile, edhe shkaqet dhe objektivat e këtyre ‘luftërave’ dhe ‘betejave’ janë të ngjashme; gati identike… I vetmi dallim qëndron në aspektin e rrethanave, metodave dhe mjeteve…!

Një ‘luftë’ e këtillë vazhdon edhe sot e kësaj dite…; dhe, si e tillë, do të vazhdojë deri sa të jetë jeta…!

Mirëpo, fatkeqësisht, kjo ‘luftë’, në ditët e sotme, ka marë formë shumë sistematike dhe tejet të sofistikuar, duke krijuar një gjendje dhe situatë shumë të mjegulluar dhe komplekse; me ç’rast, në saje të një propagande perfide, tentohet me çdo kusht që, gjërat të paraqiten ashtu siç nuk janë, apose, në formë të kundërt të asaj që janë.

Kështu, e keqja paraqitet si e mirë, e shëmtuara si e bukur, e padrejta si drejtësi, kontrolli dhe nënshtrimi si liri, fyerja si liri e shprehjes, antivlera si vlerë, diskriminimi si normë, pakica si shumicë, shfrytëzimi si investim, interesi personal si interes i përgjithshëm, okupimi si demokratizim, terrori si luftë kundër terrorizmit, lufta si paqe, etj!

Për më tepër, meqë është kohë e dominimit global të kulturave dhe civilizimeve të caktuara, i gjithë ky destruktivitet dhe ky kaos zhvillohet dhe realizohet në bazë të maksimave “i forti imponon rregullat”, dhe “dhuna ndryshon ligjin”; si dhe, në saje të nëpërkëmbjes së parimeve, mosrespektimit të ekuilibrave, imponimit të kuteve të dyfishta, etj!

Madje, protagonistët dhe shkaktarët e këtij destruktiviteti dhe këtij kaosi, në funksion të avansimit të agjendës së tyre apokaliptike, si dhe me qëllim të defokusimit të vëmendjes nga veprimet e tyre djallëzore, në vazhdimësi provokojnë dhe krijojnë dilema, probleme dhe kriza të paqena…!

E gjithë kjo propagandë dhe kjo ‘luftë’ zhvillohet për ego të pangopur, për epshe shtazarake, për dëshira të paskrupullta për kontroll dhe dominim, për ikje nga vetvetja dhe nga krizat e brendshme, për defokusim nga realiteti i hidhur, për hedonizëm të momentit, për interesa të ulëta, për agjenda të errëta, etj! Ndërsa, për pasojë, kemi zbehje të: humanes, njerëzores, altruizmit, solidaritetit, mirëqenies, sigurisë, paqes, stabilitetit, bashkëpunimit, perspektivave, etj.!

Kjo ‘betejë’, në vitet e fundit, ka marë përmasa edhe më dramatike, me ç’rast, përkrah propagandës dhe luftës së pakompromis kundër Fesë së Vërtetë dhe pasuesve të saj, tashmë, jemi dëshmitarë të një ‘lufte’ të hapur ndaj gjithçkahit që është ‘vlerë’, ‘e njerëzishme’ dhe ‘njerëzore’…!

Kjo, nga shkaku se, ‘vlera’, ‘e njerëzishmja’, dhe ‘njerëzorja’, janë predispozitat dhe postulatet mbi të cilat bazohet Islami si fe; dhe se, Zoti i Gjithësisë e dërgoi Islamin pikërisht në funksion të mbrojtjes dhe kultivimit të këtyre predispozitave dhe këtyre postulateve, kundrejt gjitha elementeve tjera negative, të dëmshme, destruktive dhe djallëzore…

Kështu, Allahu Fuqiplotë, përpos që e lartësoi njeriun karshi gjitha krijesave tjera, në saje të logjikës, arsyes dhe intelektit që i dhuroi; Ai e dalloi atë nga të gjitha krijesat tjera edhe në saje të normave njerëzore, etike dhe morale që i mbolli në natyrën e tij të pastër njerëzore (Fitrah)…

Për më tepër, Allahu i Gjithdijshëm ia mësoi njeriut emrat dhe nocionet (“E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve), …” – Kur’an: Sureja El-Bekare, Ajeti 31), duke ia definuar – në mes tjerash – edhe konceptet etike dhe morale, e, mbi të gjitha, kuptimet e: të mirës dhe të keqes, të bukurës dhe të shëmtuarës, të dobishmes dhe të dëmshmes, etj…

Në saje të këtyre aftësive mendore, si dhe këtyre predispozitave morale, Allahu i Madhnueshëm e fisnikëroi njeriun, dhe e ngriti atë në gradat më të larta, duke ia besuar pozitën e mëkëmbësit në Tokë…. Madje, në suaza të lirisë që ia dhuroi, Ai (Allahu Fuqiplotë) e obligoi njeriun që t’i kultivojë normat dhe vlerat e mirëfillta, me qëllim të mbarëvajtjes së jetës dhe mirëqenies së tij në këtë botë, si dhe shpëtimit të tij në të dy botërat…

Mirëpo, njeriu, në saje të cytjeve të brendshme, si dhe ndikimeve të jashtme, në të shumtën e rasteve, e tradhëtoi këtë ‘amanet’ të dhënë nga ana e Krijuesit, duke i bërë padrejtësi vetvetes (“Ne ua ofruam amanetin (obligimet) qiejve, tokës dhe maleve, e ato nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; dhe ai i bëri padrejt vetes, dhe ishte i padijshëm” – Kur’an: Sureja El-Ahzab, Ajeti 72), dhe, duke e zbritur vehten në gradat më të ulëta (“Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve. Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; ata kanë shpërblim të pandërprerë” – Kur’an: Sureja Et-Tin, Ajetet 4-6).

Kështu, njeriu bashkëkohor (sikurse njerëzit e periudhave të mëhershme), në të shumtën e rasteve, si rezultat i epsheve të pakontrolluara, dëshirave të pafundta, dhe apetiteve të pangopura, përpos që doli nga binaret e mendjes së shëndoshë dhe normave të mirëfillta morale, ai, në vazhdimësi tenton që, sjelljet e këtilla devijante dhe delikuente, t’i normalizojë dhe t’i shndërrojë në norma të pranueshme; duke arritur deri në nivele absurde të tentativave për ridefinim të koncepteve dhe nocioneve bazë të natyrës morale dhe njerëzore…!

Këto tentativa të reja / të vjetra të njeriut për relativizimin e normave morale dhe vlerave të mirëfillta, zakonisht, arsyetohen me: teorinë e relativizmit të normave morale (duke pretenduar se këto norma nuk janë statike dhe stabile, por janë të rrjedhshme / ‘lëngta’ dhe të ndryshueshme, dhe se, të njejtat dallojnë nga një popull te një popull tjetër, nga një vend te një vend tjetër, dhe nga një kohë në një kohë tjetër)…; pretendimin mbi pamundësinë e gjeneralizimit të normave morale ndaj gjithë njerëzimit…; pandehmën se, morali bazohet në interes (se normat morale ndryshojnë nga koha në kohë, nga vendi në vend, dhe nga nj[ shoqëri në tjetrën, varësisht nga nevojat, rrethanat, etj.)…; propagandën se, normat morale janë të rrjedhshme / të ‘lëngta’ (duke pretenduar se, të njejtat dallojnë nga një kulturë, në kulturën tjetër)…; thënien se, normat morale evoluojnë, ndryshojnë dhe zhvillohen (konform ndryshimeve dhe zhvillimeve shoqërore, ekonomike, kulturore, historike, etj.)…; konstatimin se, kulturat e ndryshme përcaktojnë normat e tyre të veçanta morale…; etj.

Mirëpo, këto teori, pretendime, pandehma, propaganda, thënie dhe konstatime, përpos që janë tendencioze dhe të gabuara (me ç’rast, ato bëjnë përzierjen dhe tollovitjen e qëllimshme të nocioneve dhe koncepteve të ndryshme në kuptim dhe përmbajtje, siç janë nocionet dhe konceptet ‘etikë’, ‘vlera morale’, ‘norma shoqërore’, ‘norma kulturore’, ‘bindje’, ‘doke’, ‘zakone’, ‘adete’, etj.)…; të njejtat, mohojnë realitetin e ekzistimit të dallimit të qartë në mes të veprave dhe sjelljeve të mira, të cilat janë objekt miratimi dhe lëvdate në të gjitha kohërat, vendet dhe popujt e ndryshëm (siç janë: sinqeriteti, drejtësia, korrektësia, bujaria, nderi, trimëria, etj.), si dhe veprave dhe sjelljeve të këqija, të cilat janë objekt i refuzimit dhe qortimit në të gjitha kohërat, vendet dhe popujt e ndryshëm (siç janë: vjedhja, rrena, koprracia, amoraliteti, tradhëtia, etj.). Bile-bile, teoritë, pretendimet, pandehmat, propaganda, thëniet dhe konstatimet e lartëpërmendura janë thirrje të qarta për shthurrje morale, sjellje kriminale, dhe shoqëri kaotike…; ngase, në saje të tyre, qortimi, denoncimi dhe dënimi e humbin kuptimin…! (Më gjërësisht në lidhje me teoritë, pretendimet, pandehmat, propaganda, thëniet dhe konstatimet e këtilla, shih: https://www.alukah.net/sharia/0/83694/#ixzz6mk3YmwKS).

Ndërsa, ajo që është edhe më tragjike në këtë kontekst, është fakti se, tashmë, kjo luftë kundër ‘njerëzores’ dhe ‘të njerëzishmes’ i ka kaluar suazat e shkatërrimit të normave morale dhe vlerave të mirëfillta, dhe se, tashmë, ka kaluar në një ‘stad’ edhe më të rrezikshëm, duke prekur jo vetëm në konceptet kyçe njerëzore, por edhe në vetë indin, qenien dhe kodin gjenetik njerëzor, si dhe në të gjitha ‘sistemet’, prej të cilave mvaret qenia njerëzore dhe mbarëvajtja e jetës së tij…!

Kështu, ne jemi dëshmitarë të tentativave të vazhdueshme për ndërhyrje eklatante:

– në sferën shpirtërore të njeriut (duke filluar nga ‘lufta’ e hapur ndaj Zotit dhe ndaj Fesë së Vërtetë, e deri tek përhapja e ateizmit, promovimi i ‘idhujve’, dhe propagimi i ‘ideologjive’ të ndryshme, etj.)…;

– në sferën mendore të njeriut (duke filluar nga propagandat, indoktrinimet dhe manipulimet e ndryshme psikologjike, e deri tek ndërhyrjet neurologjike, siç është rasti me projektin Neuralink për ‘simbiozë’ artificiale në mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale / ‘symbiosis’ between humans and AI…; projekt ky, me pasoja të paparashikueshme, etj.)…;

– në sferën fizike të njeriut (duke filluar nga drogat, e deri te të ashtuquajturat ‘operacione për ndërrimin e gjinisë’ / ‘gender reassignment surgery’, si dhe ndërhyrjeve në kodin gjenetik, etj.)…;

– në sferën shoqërore të njeriut (duke filluar nga shkaktimi i problemeve dhe çrregullimeve shoqërore, e deri te e ashtuquajtura ‘rrjedhshmëri / lëngshmëri’ gjinore’ apo ‘identitet gjinor’ / ‘gender fluidity’ – ‘gender identity’, ridefinimi i lidhjeve bashkëshortore, ridefinimi i familjes, etj.)…;

– në sferën ambientale (duke filluar nga ndotjet, helmimet, dhe rrezatimet e ndryshme, e deri te ndërhyrjet e ndryshme për ndryshimin dhe prishjen e ‘ekosistemit’, ‘zinxhirit biologjik’, etj.)…!

Madje, për çudi, e gjithë kjo ‘luftë’ anti-morale, anti-humane, dhe anti-njerëzore, zhvillohet nën parulla mirakëndëse të llojit: ‘liri’, ‘barazi’, ‘mirëqenie’, ‘progres’, ‘demokratizim’, ‘emancipim’, ‘liberalizim’, ‘vlera bashkëkohore’, … etj.!

I lartësuar qoftë Allahu, i Cili në Kur’anin Famëlartë thotë: “E kur atyre u thuhet: ‘Mos e prishni rendin në tokë’! Ata thonë: ‘Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues)!’ Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e kuptojnë”. (Kur’an: Sureja El-Bekare, Ajetet 11, 12)

Së këndejmi, këto tentativa të reja / të vjetra për relativizimin e normave morale, vlerave të mirëfillta, dhe koncepteve bazë njerëzore, duhet shikuar si tentativa ogurzeza, të cilat kanë për qëllim neutralizimin, shkatërrimin dhe zhdukjen e këtyre normave, vlerave dhe koncepteve, si dhe krijimin e realiteteve të reja, për një botë: kaotike, pa moral, pa norma, pa kritere, pa rregulla, pa ligje, pa obligime, pa përgjegjësi, pa njerëzishmëri, etj…; botë, në të cilën, i forti e shtyp të dobtin, pasaniku e shfrytëzon të varfërin, pakica dominon ndaj shumicës, etj.!

Madje, të njejtat tentativa duhet mohuar, duhet denoncuar, duhet kundërshtuar, duhet dënuar, dhe duhet ‘luftuar’ me të gjitha format, mënyrat, metodat, dhe mjetet e mundshme legjitime; gjithmonë në suaza të ‘ligjit të garimit’ (sunnetut-tedafu’), si dhe në suaza të ‘luftës’ dhe ‘betejave’ të vazhdueshme në mes të mirës dhe të keqes’… Thotë Allahu i Madhnueshëm: “… E sikur All-llahu të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i All-llahut. E All-llahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij, se All-llahu është shumë i fuqishëm dhe gjithnjë triumfues”. (Kur’an: Sureja El-Haxh, Ajeti 40)

Përndryshe, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, na paralajmëron, duke thënë: “Pasha Atë që ka në dorë shpirtin tim, do të urdhëroni për të mirë dhe do të ndaloni nga e keqja, ose, përndryshe, Allahu do të dërgojë mbi ju denim; pastaj do t’i luteni Atij, por, nuk do t’ju përgjigjet”. (Transmeton Tirmidhiu).

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re