Nga: Sali Shasivari

Sikurse gjatë periudhës së Para Erës Së Re, kur, ‘idhujt’ e bërë nga dora e njeriut, mitologjitë e sajuara, besimet pagane të krijuara, ‘zotrat’ e shpikur, ‘shenjtorët’ e vetëshpallur, ‘shenjtëritë’ e falsifikuara, etj., shkaktuan shumë dëme dhe gjakderdhje…; një fat i këtillë i hidhur e përcolli njerëzimin edhe përgjatë Erës së Re…!

Kështu, Babilonasit, Sumerët, Asirianët, Keldët, Egjiptasit e Vjetër, Kinezët e Vjetër, Grekët e Vjetër, Persianët, Romakët, Bizantinasit, etj., përmes manipulimit, devijimit, nënshtrimit, shfrytëzimit, padrejtësive, ndëshkimit, krimit, dhe gjakderdhjeve në emër të “zotërave” të shpikur dhe “shenjtërive” të sajuara, njerëzimit i sollën dëme fatale…!

Më vonë, gjatë kohës së Mesjetës, Luftërat e Kryqëzatave (1095-1270) të cilat u zhvilluan nën parullat e pastrimit të Tokës së Shenjtë nga “paganët” dhe “barbarët” (e që kishin për qëllim muslimanët), shkaktuan dëme të papara dhe miliona viktima, duke përfshirë këtu edhe pjesëtarë të feve tjera…!

Pastaj, Inkuizicioni (shek. XII – XIX), me gjitha fazat dhe llojet e tij, morri shumë jetë njerëzish, duke përfshirë shumë personalitete të kulturës, shkencës dhe artit (siç ishte Nikolla Koperniku / Nicolaus Copernicus – 1473-1543, Galileo Galilei – 1564-1642, etj)…!

Poashtu, persekutimi dhe dëbimi i muslimanëve dhe hebrenjve nga Spanja (shek. XV) ishte krim i paparë ndaj njerëzimit…!

Madje, vala e parë e ‘ekspeditave’ kolonialiste dhe misionare evropiane, i njohur si Kolonializëm i Kolonëve (shek. XV – XIX), nën moton ‘Për Zot, për Ar, dhe për Lavdi’ (‘God, Gold and Glory’), jo vetëm që shkaktuan miliona viktima në Amerikën Veriore dhe Jugore, por të njejtat, zhdukën civilizimin Inka dhe Maja, si dhe kulturën e Indianëve të Kuq…! Të këtilla ishin edhe ‘ekspeditat’ e ngjashme që u nisën për kah Lindja, siç ishin ekspeditat famëkeqe portugezo-spanjolle, nën udhëheqjen e Vasko De Gamës dhe Ferdinand Magellanit …!

Nën hijen e këtyre ngjarjeve famëkeqe historike në përgjithësi, dhe, si antipodë dhe bumerang ndaj kishës dhe klerit krishter mesjetar në veçanti, u paraqitën: Humanizmi, si një vështrim racionalist, ose sistem mendimi që i kushton rëndësi më të madhe çështjeve njerëzore, sesa atyre hyjnore ose mbinatyrore; dhe Renesansa, si lëvizje kulturore, e cila u distancua nga skolastizmi mesjetar dhe ringjalli interesin për mendimin e lashtë grek dhe romak…

Në fillim, studiuesit e Rilindjes, të lidhur me Humanizmin, ishin fetarë; dhe, për ta, fjala ‘laike’ nuk mbante detyrimisht konotacion mosbesimi…

Mirëpo, më vonë, njeriu u shpall “Zot” (‘Homo homini deus est’ – ‘Qenia njerëzore është një zot për njerëzimin’ ose ‘zoti nuk është asgjë [përveç] qenies njerëzore për veten e tij’, siç shkruante filozofi dhe materialisti i njohur gjerman Ludvig Fojerbahu / Ludwig Feuerbach – 1804-1872), Zoti u shpall i vdekur (‘Gott ist tot’, sipas filozofit gjerman Fridrih Niçe / Friedrich Nietzsche – 1844-1900), ndërsa, njerëzimi u shpall si fe (‘Feja e Njerëzimit’ – ‘Religion of Humanity’; nga frengjishtja ‘Religion de l’Humanité’ ose ‘église positiviste’, si religjion sekular, i krijuar nga themeluesi i filozofisë pozitiviste, sociologu, dhe matematicienti francez Ogyst Konti / Auguste Comte – 1798-1857)…!

Me kalimin e kohës, “njeriu zot” u zëvendësua me ‘idhuj’ të shumtë dhe të ndryshëm (të cilët do ta tërhiqnin vëmendjen e njerëzve nga besimi në Zotin Një), siç janë: egoja, epshet, materja, supremacistët, diktatorët, etj.; ndërsa, “feja e njerëzimit” u zëvendësua me ideologji të shumta dhe të ndryshme (të cilat do ta defokusonin njeriun nga nevojat shpirtërore dhe normat fetare), siç janë: Racionalizmi, Natyralizmi, Imperializmi, Skllavëria, Kapitalizmi, Materializmi, Idealizmi, Ateizmi, Laicizmi, Sekularizmi, Socializmi, Bolshevizmi, Komunizmi, Fashizmi, Relativizmi, Ekzistencializmi, Nihilizmi, Hedonizmi, Eugjenizmi, Satanizmi, etj. …!

Ndonëse, këto ide, mendime, teori, ideologji dhe lëvizje u paraqitën si antipodë dhe si bumerang ndaj keqpërdorimeve të kishës dhe klerit krishter mesjetar…; duke marë parasyshë dominimin e kulturës dhe civilizimit perendimor, këto mendime, ideologji dhe lëvizje u përhapën botërisht…!

‘Idhujt’ dhe ‘ideologjitë’ e lartëpërmendura, që u shpikën dhe u instaluan në vend të Zotit dhe Fesë së vërtetë, nuk ishin thjeshtë sajesa, mendime dhe teori manipulative, por, të njejtat, shkaktuan dëme dhe pasoja fatale ndaj njerëzimit dhe botës në përgjithësi…; kjo, ngase, ato ishin ‘idhuj’ që nënshtruan dhe shfrytëzuan, si dhe ideologji të cilat mashtruan dhe shkatërruan…!

Kështu, vala e dytë kolonialiste evropjane, i njohur si Kolonializëm Eksploatues / Shfrytëzues (pjesa e dytë e shekullit XIX, deri pas gjysmës së shekullit XX), Lufta e Parë Botërore (1914-1918; që rezultoi me vdekjen e rreth 20 milion njerëzve, prej të cilëve, rreth 10 milion ushtarë dhe rreth 10 milion civilë), Lufta e Dytë Botërore (1939-1945; që rezultoi me vdekjen e rreth 75 milion njerëzve, prej të cilëve, rreth 20 milion ushtarë, dhe rreth 55 milion civilë), si dhe shumë e shumë luftëra tjera të cilat u zhvilluan gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, e deri në ditët e sotme; të gjitha këto konflikte u nxitën pikërisht nga ideologjitë e lartëpërmendura, dhe shkaktuan viktima nga të gjitha palët!

Përskaj këtyre luftërave me karakter më të përgjithshëm, të shumta ishin edhe luftërat me prapavijë fetare, e, me theks të veçantë, ndaj Islamit si fe!

Kështu, në momentet kur lufta ideologjike dështonte në përmbushjen e shprazëtirës shpirtërore të krijuar, me ç’rast njerëzit vazhdonin kërkimin dhe pasimin e së vërtetës, ndaj tyre shpallej luftë reale, në formën e luftërave brutale ndaj tyre dhe shenjtërive të tyre…; siç ndodhi me persekutimin e miliona muslimanëve nga ana e bolshevizmit dhe komunizmit…!

Mbase, lufta e këtillë ideologjike, propagandistike, dhe reale, vazhdon edhe në ditët e sotme, ndonëse, me mjete tjera, dhë nën parulla dhe moto të ndryshme (në disa raste edhe mirakëndëse)…! Kështu, për shembull, mjafton të përcjellësh prapavijën e ngjarjeve të përgjakshme në Lindjen e Mesme, të ashtuquajturat ‘kampet e ri-edukimit’ në Sinkiang (Xinjiang – Rajon Autonom i Ujgurëve) në Kinë, si dhe shumë e shumë vende dhe raste tjera, me ç’rast, do të kuptosh këtë realitet të hidhur…!

Për më tepër, përskaj këtyre rasteve eklatante të luftës ideologjike, propagandistike, dhe reale, të shumta janë rastet tjera, ku, kjo lloj ‘lufte’ zhvillohet në mënyrë të heshtur, edhe atë, herë në emër të ‘laicizmit’ dhe ‘sekularizmit’ (siç po ndodh për momentin në Francë dhe gjetiu)…!; herë, përmes promovimit të bindjeve dhe sekteve të cilat nuk bien ndesh me interesat e tregtarëve të fateve njerëzore; e, herë përmes komercializimit të disa feve dhe simboleve fetare (siç ndodh me Jogën budiste, me Krishtlindjet krishtere, etj.)…!

Kjo, ngase, djajve në formë njeriu – të cilët ‘aktrojnë’ Zotin – nuk ju pengojnë sektet dhe praktikat fetare të cilat nuk kanë platforma shoqërore, d.m.th., që nuk ua prishin ‘hesapet’… Përkundrazi, ata i stimulojnë sektet dhe praktikat e tilla… Me rëndësi është që mos ua prishësh misionin e tyre djallëzor dhe biznesin e tyre të fëlliqur…; pa çka nëse ti adhuron gurin apo drurin…!

Madje, ata janë të vetëdijshëm se, përmes zhdukjes së ndjenjave të mirëfillta fetare, ata, jo vetëm që zhdukin shpirtin, jetën, moralin, vlerat, etj., duke krijuar njerëz mekanik dhe të dëgjueshëm, si dhe konsumatorë kronik dhe serik…; por, ata, në këtë mënyrë, instalojnë kontroll të plotë mbi masat e gjera…

I Lartësuar qoftë Allahu i Madhnueshëm, i Cili, në Kur’anin Famëlartë thotë: “O bijtë e Ademit (kriminelë), po a nuk ua dërgova porosinë që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!? (Ju porosita) Të më adhuroni Mua, se kjo është rruga e sigurt”! (Kur’an: Sureja Ja Sin, Ajetet 60-61)

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re