Nga: Sali Shasivari

Në sajë të mëshirës, dashurisë dhe mirësisë së pafund ndaj krijesës së Tij, njeriut, Allahu i Madhnueshëm, përpos që e krijoi atë në formën më të bukur (“Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur” – Kur’an: Sureja Et-Tin, Ajeti 4), e lartësoi atë karshi gjitha krijesave tjera (“Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam” – Kur’a: Sureja El-Isra, Ajeti 70), e definoi qëllimin dhe misionin e tij në këtë jetë (“Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. …” – Kur’an: Sureja El-Mulk, Ajeti 2), dhe, e la atë të lirë në gjykimet dhe vendimet personale (“E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. …” – Kur’an: Sureja El-Kehf, Ajeti 29)…; Ai (Allahu Fuqiplotë), në saje të kësaj mëshire, dashurie dhe mirësie të Tij të pafund, nuk deshti ta lerë njeriun të hutuar dhe të humbur karshi valëve dhe stuhive të kësaj bote, andaj, i dërgoi atij platformë dhe udhëzim që do t’i mundësonte shpëtim dhe ankorim të sigurtë në brigjet e kësaj jete, si dhe shpërblim në parajsën e Botës Tjetër (“… Nëse u vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber), kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja), e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)” – Kur’an: Sureja Ta Ha, Ajeti 123)…

Madje, duke marë parasysh rëndësinë e ‘modelit’, si dhe nevojën e njeriut për ‘shembëlltyrë’ dhe ‘shembull’ praktik jetësor, Allahu i Gjithdijshëm dërgoi në çdo popull profetë (“Ne të dërguam ty me atë që është e vërtetë, lajmgëzues e qortues, e nuk pati asnjë nga popujt që nuk pati të dërguar” – Kur’an: Sureja El-Fatir, Ajeti 24), të cilët, përpos që përcillnin mesazhet hyjnore tek popujt e tyre, të njejtët, në saje të përgatitjes, mbikqyrjes dhe mbrojtjes Hyjnore, përfaqësonin ‘model’ dhe ‘shembëlltyrë’ për njerëzit, në aspekt të moralit, sjelljes, dhe veprimeve…

I këtillë ishte rasti me gjithë pejgamberët e mëparshëm, nga Ademi alejhis-selam, deri te Isau alejhi-selam (të cilët ishin të dërguar për një kohë dhe për një popull të caktuar)…; mision ky që u kompletua me vulën e pejgamberisë, Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i cili, përpos që u dërgua mëshirë për gjithë botërat dhe për të gjitha kohërat (deri në Ditën e Gjykimit), misioni i tij u definua si plotësues, kompletues dhe përsosës i vlerave etike dhe morale; ashtu siç e përshkruan këtë mision vetë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, kur thotë: “Jam dërguar që t’i përsos virtytet morale” (Hadith autentik, i transmetuar nga Imam Buhariu).

Këtë mision sublim të Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem e vërteton edhe Allahu Fuqiplotë, kur thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, …” (Kur’an: Sureja El-Ahzab, Ajeti 21).

Kështu, në saje të misionit Hyjnor, dhe, në saje të të qenurit ‘mëshirë për botërat’ dhe ‘shembull më i lartë’, ai (Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem), përreth obligimit të tij parësor për thirrje në fenë Islame, thirrje kjo, e cila: përkon me natyrën reale të njeriut, përkujdeset dhe vëndon barazpeshë në mes nevojave të shpirtit dhe kërkesave të trupit, çliron shpirtërat nga bestytnitë dhe bindjet e gabuara, pastron zemrat nga ndjenjat negative, mbron mendjet nga mendimet e kota, porosit dhe stimulon në kërkim të diturisë, në drejtësi, në mirësi, etj.; ai (Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem), pjesë të pandashme të misionit të tij kishte edhe promovimin e vlerave morale dhe etike, në mesin e të cilave bëjnë pjesë: sinqeriteti, besa, maturia, butësia, mirësia, drejtësia, paqa, humaniteti, toleranca, solidariteti, përforcimi i raporteve ndërnjerëzore, ruajtja e lidhjeve farefisnore, respektimi i marrëdhënieve familjare, mirësia në mes bashkëshortëve, kujdesi ndaj prindërve, mëshira ndaj fëmijëve, respekti ndaj pleqve, etj.; vlera këto, të cilat, ai i jetësoi edhe praktikisht…

Këto vlera u manifesuan në veprat dhe sunnetin (praktikën) e tij të ndritshme, para se të artikulohen në fjalët dhe hadithet (thëniet) e tij… Kështu, mjafton të citojmë hadithin (thënien) e tij në vijim, që të kuptojmë dimensionin hyjnor të mesazhit të tij profetik: “Nuk e ka besimin e përkryer asnjë prej jush përderisa nuk ia dëshiron vëllaut të vet atë që e dëshiron për vetveten”. (Hadith autentik, i transmetuar nga Imam Buhariu).

Në saje të kësaj praktike, Muhamedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem e meritoi lëvdatën e Krijuesit të Gjithësisë, me ç’rast, Allahu i Madhnueshëm – në Kur’anin famëlartë – dëshmoi për të dhe për moralin e tij, duke thënë: “Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit” (Kur’an: Sureja El-Kalem, Ajeti 4).

Pikërisht këto vlera unike dhe këto dimensione të larta njerëzore bënë që Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem të respektohet nga armiqët, para se të respektohet dhe dashurohet nga miqët dhe pasuesit e tij. Kështu, çdokush që e njohu Muhamedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nuk pati zgjidhje tjetër, përpos ta dojë dhe respektojë këtë figurë të ndritur.

Bile-bile, të shumtë ishin – dhe janë – ata që, përreth dallimeve ideologjike, vlerësuan lartë misionin dhe kontributin e tij në ndryshimin e rrjedhave botërore, duke i dhënë atij epitetin e ‘reformatorit më të madh’ në historinë njerëzore… Kjo, përpos disa personave, të cilët, të verbuar nga ndjenja e urrejtjes dhe zilisë, gjithë vrerin dhe mllefin e tyre e e derdhën mbi qenien më të dashur në sipërfaqen e dheut, të cilën nuk e njohën…!

Madje, ndonëse Pejgamberi sal-llalahu alejhi ve sel-lem ndërroi jetë, Allahu Fuqiplotë mundësoi që ‘shembëlltyra’ e tij të ketë vazhdimësi deri sa të jetë jeta, edhe atë, përmes pasuesve dhe ndjekësve të rrugës së tij, në krye të të cilëve janë dijetarët; fakt këtë të cilin e vërteton Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, kur thotë: “…, me të vërtetë, dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve, gjersa pejgamberët nuk kanë trashëguar dinar apo dirhem (emra të monedhave të atëhershme), por ata trashëguan dituri, e kush e merr atë, e ka marrë hisen më të madhe” (Hadith autentik, i transmetuar nga Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerët).

Së këndejmi, ‘modelet’ dhe ‘shembëlltyrat’ e këtilla u luftuan në vazhdimësi – përgjatë gjithë historisë së njerëzimit – nga ana e njerëzve të djallëzuar…; edhe atë, ngase, këto ‘modele’ dhe ‘shembëlltyra’ ua prishnin planet dhe llogaritë e ‘pista’ njerëzve të këtillë…!

Kjo luftë zakonisht zhvillohej – dhe vazhdon të zhvillohet – në dy ‘fronte’ kryesore, edhe atë:

1) Në ‘frontin’ e njollosjes së ‘modeleve’ dhe ‘shembëlltyrave’ të mirëfillta, duke filluar nga personaliteti i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e deri tek pasuesit e denjë të rrugës së tij (qofshin ata dijetarë, besimtarë, etj.)…! Kjo, me qëllim të prishjes së imazheve pozitive dhe inspiruese, si dhe me qëllim të shuarjes së kandilave të tillë ndriçues, të cilët e shndërrisin rrugën, dhe shërbejnë si ‘shenja në rrugë’, drejt shqigjeve të sigurisë, mirëqenies dhe lumturisë në këtë jetë, si dhe shpëtimit dhe shpërblimit në Botën Tjetër…

Kështu, propagandat, akuzat dhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe pasuesve të tij janë pjesë e kampanjave sistematike kundër Islamit, Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, si dhe muslimanëve në përgjithësi; kampanja këto, të cilat, inicohen dhe zhvillohen me paramendim dhe me planifikim, dhe, të njejtat, shfrytëzohen për realizimin e qëllimeve, strategjive dhe agjendave të caktuara, qofshin ato agjenda ideologjike, raciste, ekstremiste, djathtiste, islamofobe, kulturore, sociale, ekonomike, mediatike, politike, etj.

2) Në ‘frontin’ e krijimit të “modeleve” alternative në gjitha sferat e jetës…; edhe atë, me qëllim të shfrytëzimit të tyre si ‘flluska’ mirakëndëse, në funksion të promovimit të agjendave të ndryshme djallëzore…

Kështu, sikurse që – në të kaluarën – promovoheshin ‘idhuj’, ‘ikona’ dhe ‘figura’ të ndryshme në sferën e shkencës, kulturës dhe artit, siç ishte rasti me glorifikimin e trupit të njeriut përmes statujave të ndryshme ‘ikonografike’, glorifikimin e figurës së Monalizës, glorifikimin e klasikëve të muzikës, glorifikimin e Darvinit dhe Darvinizmit, glorifikimin e autorëve klasik, glorifikimin e Frojdit dhe Frojdizmit, glorifikimin e Pikasos dhe “artit” të tij të deformuar, glorifikimin e figurave kinematografike, glorifikimin e figurave të zhanreve të shthurrura të “artit” dhe “muzikës”, etj…; një trend i këtillë vazhdon edhe në ditët e sotme, në mënyrë më banale, edhe atë, kryesisht përmes glorifikimit të ‘idhujve’, ‘ikonave’ dhe ‘figurave’ të ndryshme në sferën politike, ekonomike dhe “filantropike”, si dhe në sferën e “muzikës”, “modës” dhe “sportit”; sfera këto, të cilat nxisin konsumerizmin pasiv, me qëllim të ngopjes së apetiteve sadiste të tregtarëve të fateve njerëzore, si dhe, me qëllim të realizimit të agjendave apokaliptike të atyre që ia kanë shitur shpirtin djallit të mallkuar…!

Andaj, nuk duhet të na habitë fakti, kur, në ditët e sotme, e gjithë industria e “artit”, “medias”, “filmit”, “muzikës”, “modës” dhe “sportit” është katandisur në promovimin e “modeleve” dhe “shembëlltyrave” të llojit ‘Madona dhe Maradona’ (siç shprehet dijetari i njohur i kohës, Dr Tarik Suvejdan); pa çka nëse, e para përfaqëson një sekt satanist, ndërsa i dyti ishte konsumues i lëndëve narkotike! Ndërsa, shembujt e këtillë të ngjashëm as që mund të numërohen…!

Madje, fenomeni i këtillë i promovimit të shembujve më të këqinj të mundshëm, si ‘idhuj’, ‘ikona’ dhe ‘figura’, tashmë është bërë trend bashkëkohor në të gjitha shoqëritë anekënd globit, duke përfshirë këtu edhe shoqëritë muslimane, e, në mesin e tyre edhe atë shqiptare…!

Së këndejmi, është obligim i gjithësecilit prej neve që t’i demaskojmë, t’i denoncojmë dhe t’i luftojmë ‘idhujt’, ‘ikonat’, dhe ‘figurat’ e këtilla destruktive dhe djallëzore, të cilat shpiejnë në shthurrje, shkatërrim dhe humbje…; ashtu siç na porosit Allahu i Lartmadhëruar, kur thotë: “O ju të cilët besuat, mos shkoni gjurmëve të djallit, pse kush ndjek gjurmët e djallit ai urdhëron për të shëmtuara e të irituara, …” (Kur’an: Sureja En-Nur, Ajeti 21); si dhe, t’i nxjerrim në pah, t’i promovojmë, dhe t’i ndjekim ‘modelet’ dhe ‘shembëlltyrat’ e mirëfillta të botërave dhe njerëzimit, në krye me Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe pasuesve të denjë të rrugës së tij…; ashtu siç na porosit Allahu i Lartmadhëruar, kur thotë: “O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë” (Kur’an: Sureja En-Nisa, Ajeti 59).

Kjo, me qëllim që të shpëtojmë vetveten dhe familjet tona nga ‘zjarret’ e kësaj bote, si dhe nga zjarri i xhehennemit në Botën Tjetër…! (“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. …” – Kur’an, Sureja Et-Tahrim, Ajeti 6).

Zoti na ruajt nga ‘djajtë’ në formë njeriu… Amin!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re