Petrit Vasili duket se i ka lënë pas sulmet dhe thotë se tani do të shikojë vetëm pozitivisht.

Nënkryetari i LSI-së i cili ka shërbyer si ministër i Shëndetësisë, deklaroi në një lidhje me studion e “Ditari” në A2 se lajmi i mirë është që pandemia “është thyer në Kinë” dhe shtoi se tendenca e saj në Ballkan është më e ulët, “gjë që na bën të mendojmë se do të kemi një dalje më të shpejtë dhe hamendësojmë se humbja e jetëve do të jetë minimale”.

“Qytetarët duan të dinë dy gjëra: sakrifica e pashembullt që po bëjnë se çfarë fundi do të ketë dhe përmirësimi është i afërt apo jo. Këtyre pyetjeve përpiqemi t’u japim përgjigjje, pasi përballja me një pandemi me shumë elementë të panjohur e imponon një analizë të tillë. 

Lajm i mirë është që është thyer epidemia në Kinë. 

E njëjta situatë edhe në Kore, pas një periudhe shumë të fortë, ka pasur edhe rënie të fortë të intensitetit të epidemisë. Edhe në Evropë do të ketë diçka të njëjtë. 

Gjithashtu, tendenca në Ballkan është më e ulët, gjë që na bën të mendojmë se do të kemi një dalje më të shpejtë dhe hamendësojmë se humbja e jetëve do të jetë minimale. Por, asnjë nga këto elementë nuk duhet të lejojë neglizhim të masave të marra”, theksoi nënkryetari i LSI-së.

Në lidhje me masat e qeverisë, Vasili tha: “Dua të shikoj vetëm pozitivisht për të mos ngarkuar më tepër situatën. Sa i takon momentit të marrjes së disa masave, kam vërejtjet e mia. Sepse thirrjet janë bërë më parë, ndërsa sot sugjerimi im është aktivizimi maksimal i gjithë strukturave parësore të shtetit në nivel republike, para se të kërkojmë solidaritet mjekësh dhe infermierësh”.

Kur u pyet nëse është i gatshëm të kontribuojë në këtë situatë, Vasili tha: “Prej shumë kohësh, edhe publikisht, kam dhënë disponibilitetin personal për të ndihmuar në këtë çështje. Kam bërë propozime shumë më përpara se sa të kishim raste në Shqipëri”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re