Vlerësimi bio-psiko-social e sheh aftësinë e kufizuar si një ndërveprim të dëmtimeve të strukturave dhe funksioneve trupore/mendore me kufizimin e aftësive për kryerjen e veprimeve të përditshme në përputhje me moshën dhe pjesëmarrjen ne jetën shoqërore. Pra, ajo që vlerësohet është rrjedhoja pra mundësia e personit për të kryer veprimtaritë bazë të jetës në përputhje me moshën.

Procesi i ri i vlerësimit shumëdisiplinor përfshin këto hallka:

(1) Mjeku i familjes plotëson formularin përkatës duke u bazuar në informacionin që ka për kërkuesin dhe e referon këtë të fundit tek mjeku specialist;

(2) mjeku specialist (ose psikologu i Qendrës Komunitare të Shendetit  Mendor) plotëson formularin përkatës, pasi ka vlerësuar rezultatet e ekzaminimeve të rekomanduara në kritere dhe bën rekomandimet për shërbime e përfitime si dhe për intervistën;

(3) pasi është verifikuar informacioni i pavarur nga të dy mjekët dhe është vërtetuar se kërkuesi plotëson kushtet paraprake, hallka e tretë është intervista me mjekun dhe punonjësin social të komisionit shumëdisiplinor.

Gjatë intervistës, kërkuesi u përgjigjet pyetjeve të një pyetësori të ndërtuar sipas kritereve dhe rekomandimeve të KNF-së, që lidhen me aftësitë dhe mundësitë/barrierat për të realizuar veprimtaritë bazë të jetës si edhe mbështetjen e shërbimet e nevojshme për të bërë të mundur/përmirësuar pjesëmarrjen në jetën shoqërore.

Rezultatet e intervistës përllogariten nga sistemi informatik. Kjo lejon përcaktimin objektiv të nivelit të aftësisë së kufizuar si edhe nevojat për shërbime/përfitime të tjera si ndihmësi personal, paketa higjeno-sanitare, përkthyesi i gjuhës së shenjave, mjetet ndihmëse për lëvizje, etj.

Në fund, bazuar në rezultatet e intervistës, komisioni bën rekomandimet përkatëse në lidhje me përfitimet në pagesa dhe shërbimet shëndetësore, psiko-sociale, të arsimit, të formimit profesional dhe punësimit, etj. Në bazë të këtij informacioni dhe nëpërmjet funksioneve të regjistrit elektronik, krijohet profili bio-psiko-social i përfituesit të aftësisë së kufizuar.

Për të siguruar që të gjithë personat me aftësi të kufizuara të marrin kujdesin e duhur shëndetësor dhe për të parandaluar rëndimin e gjendjes, të gjithë përfituesit kryejnë një kontroll vjetor pranë mjekut të familjes apo mjekut specialist, sic vendoset nga komisioni. Kontrolli vjetor shërben edhe për të vlerësuar nevojat e individit për rikomisionim nëse gjendja ka ndryshuar.

Katër nivele të masës së përfitimeve në para, që lidhen me kategoritë përkatëse të vlerësimit bio-psiko-social:

Grupi i parë (dëmtim i thellë apo i plotë) i aftësive për të kryer veprimtaritë bazë të jetës në përputhje me moshën, nënkupton humbje në masën 96-100% të kapaciteteve funksionale për të kryer aktivitetet e jetës së përditshme. Masa e pagesës do të jetë 120% e masës bazë të përfitimit.

Grupi i dytë (dëmtim i rëndë): nënkupton humbje në masën 50-95% të aftësive funksionale dhe shfaq një a më shumë probleme që janë të pranishme në shumicën e kohës. Masa e pagesës: 100% e masës bazë të përfitimit.

Grupi i tretë (Dëmtim i moderuar ose mesatar): nënkupton një humbje të aftësive funksionale prej 25-49%. Masa e pagesës: 80% e masës bazë të përfitimit.

Grupi i katërt (dëmtim i lehtë): nënkupton një humbje prej 5-24% të aftësive funksionale. Gjithashtu, ai nënkupton një a më shumë probleme që janë prezent herë pas herë dhe jo në të gjitha fushat e jetës. Në mungesë të shërbimeve, një grup i kësaj kategorie, në nivelin 20-24% të humbjes së aftësive funksionale do të trajtohet me pagesë në masën 60% të masës së përfitimit për të rriturit.

Në përputhje me praktikën bashkëkohore ndërkombëtare dhe kulturën kombëtare shqiptare të përkujdesit ekonomik për fëmijën nga familja, masa e përfitimit për fëmijët do të jetë 75% e masës së përfitimit përkatës për të rriturit. Familjeve do t’u rekomandohet që kjo pagesë të shkojë kryesisht për mbulimin e kostos së shërbimeve aftësuese.  Reduktimi i pagesës, do të shoqërohet me krijimin e shportës së shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara, në kuadrin e reformës së shërbimeve sociale dhe me masat e marra nga Ministria e Arsimit për integrimin e mbështetur të fëmijëve me aftësi të kufizuara në të gjitha shkollat e vendit, në zbatim të Ligjit nr. 69/2012,”Për Sistemin Arsimor Parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” (Kreu XI- Arsimimi i Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara).

Shoqata e Diabetit adreson problematikat e personave me aftësi të kufizuar në MSHMS

Problematikat më të shprehura gjatë takimeve me personat me aftësi të kufizuar, lidheshin me burokracitë dhe koha e gjatë e pritjes. Ky shqetësim u artikulua përgjatë takimit me përfaqësuesit e MSHMS. Nga ana e saj, MSHMS pretendon se me skemën e re:

  • Procedurat marrin më pak kohë duke përfshirë vetëm trajtimin nga mjeku I familjes dhe mjeku specialist pa qenë nevoja e shtrimit në spital për tu pajisur me fletë drejtimi
  • Nuk ka kohë pritje për të hyrë në komision, pasi paraqitja në komision bëhet me datë dhe orë të caktuar për çdo person
  • Komisionet janë ngritur pranë qendrave shëndetësire dhe poliklinikave për të ofruar një shërbim sa më pranë qytetarëve dhe për të mundësuar marrjen e shërbimit brenda institucioneve të sistemit shëndetësor, me qëllim shmangien e burokracive dhe lëvizjeve nga një institucion në tjetrin
  • Koha e komisionimit në skemën e re merr një kohë më të gjatë, e cila nuk mund të jetë më pak se 30 minuta, pasi përfshin komunikimin me mjekun e komisionit dhe punonjësin social, për të marrë informacion mbi aktivitetin, pjesmarrjën, barrierat mjedisore dhe lehtësuesit. Kjo procedurë përfshin plotësimin e një formulary prej 15 faqe.
  • Formulari plotësohet në bazë të informacionit të përftuar gjatë komisionit, bazuar në të dhënat dhe deklarimet e pacientit apo kujdestarit ligjor dhe të dhënat hidhen në sistemin elektronik.
*Nga data 1 Dhjetor 2019 ka nisur një vlerësim i ri i aftësisë së kufizuar i cili zbaton një metodologji bio-psiko-sociale për vlerësimin dhe përcaktimin e aftësisë së kufizuar.
Zbatimi i reformës po monitorohet nga Shoqata e Diabetit në Shqipëri në kuadër të projektit “Aftësimi i komuniteteve dhe grupeve të cënueshme për të njohur dhe përdorur shërbimet vendore” në Bashkitë Kamëz dhe Vorë me mbështetjen financiare të #LevizAlbania një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re