Ministria e Drejtësisë mbajti takimin e radhës të Mekanizmit për Monitorimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë.

Takimi i drejtuar nga zv.ministrja Fjoralba Caka, u zhvillua nën praninë e institucioneve të pavarura të drejtësisë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, partnerëve tanë ndërkombëtarë si Delegacioni BE, OSBE, UNDP, përfaqësues të OKB në Tiranë, sikurse edhe përfaqësues të ambasadave të huaja në vend.

Caka solli në vëmendje rëndësinë e reformës në drejtësi si një ndër 5 prioritetet kryesore për hapjen e negociatave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Kjo reformë e thellë dhe gjithëpërfshirëse është komponenti kryesor për të siguruar konsolidimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zbatimin e ligjit dhe sigurinë juridike. Në Mekanizmin Monitorues paraqiten rezultatet e gjashtë-mujorit të parë të vitit në zbatimin e objektivave të Strategjisë Ndërsektoria të Drejtësisë”,-thekson Caka e cila ndau me të pranishmit disa nga arritjet kryesore të 6-mujorit Janar-Qershor 2019.

Nga ana tjetër ajo theksoi se reforma në drejtësi ka hapur dhe iniciuar një sërë reformash të reja të cilat kanë marrë rrugën e tyre të zhvillimit; së pari, reforma në sistemin e drejtësisë penale për të mitur, ndihma juridike, reforma penitenciare dhe lufta kundër korrupsionit.

Caka u ndal edhe te arritjet dhe sfidat e reformës në drejtësi, duke ftuar institucionet e pavarura si edhe shoqërinë civile të ndanin perspektivën e tyre lidhur me reformën dhe risitë në veprimtarinë e tyre.

Në përfundim të takimit, ajo theksoi se, “rikujtohet vazhdimisht se në të gjitha proceset shtet-formuese dhe modernizuese për shtetin e së drejtës, Shqipëria nuk është kurrë vetëm”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re