Ish kryetari i KQZ, Kristaq Kume ka bërë një koment dëshpërues në emisionin “Aktualitet” në Fax News për Reformën Zgjedhore duke theksuar se zgjidhja e vetmja vjen nga presioni i ndërkombëtarëve.

“Komenti im është dëshpërues. Ne ende nuk kemi arritur që të jemi të zotë të zgjidhim problemet me të cilat ndeshemi për tu zhvilluar si vend demokratik dhe tregojmë se jemi impotent për ta bërë këtë. Pavarësisht se çfarë themi, zgjidhja vjen vetëm nga presioni i ndërkombëtarëve. Për të keqen e këtij vendi, e këtij populli dhe në vlerësimin tim, një gjë e tillë për këtë që jemi sot duke u përballur si shoqëri në mosmarrëveshje mes palëve, unë do thoja se arsyeja kryesore ku duhet kërkuar përse ndodh dhe në mënyrë të përsëritur, gjithçka ka të bëjë me marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Palët nuk e zgjidhin dot dhe duan në të tretë. Kjo është pasojë se partitë politike e cilësojnë si një të drejtë të tyre dhe mundësi të madhe që kanë për të rregulluar procedurat në procesin zgjedhor për të fituar sa më shumë të jetë e mundur”, u shpreh Kume.

Kume shtoi se ndërkombëtarët nuk do arrijnë pritshmërinë e kërkuar dhe pavarësisht energjisë së shpenzuar gjatë kësaj kohe, puna do të jetë gjysmake.

“Ne duhet të bëjmë më të mirën pavarësisht se përballemi me situata dëshpëruese. Është e domosdoshme që të gjithë së bashku të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të rregulluar ligjet. Referoju parimit të ujit, pika e ujit can gurin dhe ne pikë pikë e thyejmë atë mur.

Këta nuk duan të ndryshojnë partinë. Rruga më e mirë për ta mbajtur pushtetin e partive është kjo, gjë që do të thotë se duhet punuar në disa plane. Përpjekjet për ndryshimin e legjislacionit zgjedhor dhe ndërkombëtarët duhet të kenë parasysh diçka. Le të konsumojnë energji sa të duan, por nuk do ta kenë arritur dot as pritshmërinë që parashikojnë nga investimi i madh i tyre nëse puna do të përfundojë me dakordësinë e palëve për të rregulluar Kodin Zgjedhor në mënyrë që të pasqyrojnë rekomandimet e OSBE – ODIHR-it, puna do të jetë gjysmake. Ndërkombëtarët duhet të ndryshojnë rregullat e sistemit, por edhe kjo nuk mjafton. Në të njëjtën kohë, duhet punuar për të ndryshuar ligjin për partitë politike”, tha Kume.(A.M/Faxweb.al)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re