Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, ka komentuar miratimin e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Në një reagim në rrjetet sociale, Zingraf thotë se Reformat duan kohë dhe përgatitje të thelluar, dhe ato ndryshime që janë miratuar sot, mund të kenë efekt prapaveprues.

Zingraf thotë se Budenstagu, në pikën e reformës zgjedhore të vendimit të tij të shtatorit 2019 fliste për një “dialog të hapur, ku të përfshihen të gjitha forcat politike”.

Deklaratë e Ambasadorit Peter Zingraf:

Parlamenti shqiptar ka miratuar ditën e sotme ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe ka implementuar kësisoj marrëveshjen e 5 qershorit të negociuar mbi bazën e rekomandimeve të ODHIR-it në Këshillin Politik. Unë e përshëndes këtë hap të rëndësishëm në rrugën drejt Konferencës së Parë Qeveritare në kuadrin e bisedimeve të anëtarësimit në BE.

Në pikën e reformës zgjedhore të vendimit të tij të shtatorit 2019 Bundestag-u Gjerman fliste për një “dialog të hapur, ku të përfshihen të gjitha forcat politike”. Vendimi i Bundestag-ut është njohur nga të gjitha institucionet politike shqiptare në vend si një “Roadmap” për kalendarin shqiptar të reformave.

Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve që në zbatim të marrëveshjes, por edhe në ndërmarrjen e të gjitha hapave të tjera, të vijojnë më tej me dialogun dhe gjithëpërfshirjen.

Reformat e thella në Kodin Zgjedhor sipas standardeve të OSBE-së dhe Komisionit të Venecias kanë nevojë për një përgatitje të thelluar të realizuar brenda një kohe të mjaftueshme dhe mund të kenë efekt prapaveprues mbi marrëveshjen e implementuar ligjërisht tanimë.

Ditën e sotme në Kuvend me 97 vota pro ka kaluar marrëveshja e 5-qershorit. Menjëherë nisën reagimet edhe nga ndërkombëtarët. Bashkimi Evropian, SHBA, OSBE e mbështetën marrëveshjen duke vënë theksin tek dialogu mes palëve për të diskutuar çështjet e tjera që lidhen me Reformën Zgjedhore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re