Nga Blendi Gashi

 Në Kosovë ende mungon një reformë zgjedhore edhe pse një e tillë është tentuar që të bëhet vite më parë. Presidenti Hashim Thaçi gjatë 2016-tës nisi takimet me partitë politike për t’i dhënë fund kësaj problematike, por nisma e tij mbeti pezull.

Si rezultat i mungesës së saj parregullsitë vazhdojnë të ndodhin në çdo parë zgjedhje, kurse shkelësit e ligjit nuk marrin dënimin e merituar.

Disa nga problemet kyçe që besohet që do t’i zgjedhte reforma zgjedhore janë: pastrimi i listave të votueseve, votimi nga jashtë, mos menaxhimi i duhur i procesit zgjedhor e deri te certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Lidhur me këtë problematikë së fundmi organizata që mbikëqyrë punimet e Kuvendit, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka realizuar një platformë të quajtur “Çdo vote vlenë!”, ku ka pyetur partitë politike për elemente specifike që duhet të përfshijë reforma zgjedhore.

Sa i përket sistemit zgjedhor, vetëm AAK-ja e Ramush Haradinaj ka thënë se duhet të jetë e përzier kurse partitë tjera, PDK, Vetëvendosje, NISMA e AKR kanë deklaruar se duhet të jetë propercionale.

Për zonat zgjedhore, PDK e AKR janë për 7 zona, Vetëvendosje e NISMA për nga 1 zonë, kurse AAK-ja për 6 zona.

Për listat zgjedhore të gjitha këto parti janë deklaruar se duhet të jenë të hapura, ndërsa NISMA ka thënë se vota për subjektin duhet të nënkuptohet edhe si vote për bartësin e listës.

Për pragun zgjedhor për koalicione, AAK dhe VV thonë se duhet të jetë 7 %, AKR-ja për 5 %, NISMA për 3 %, kurse PDK nuk ka dhënë shifër por sipas saj duhet të rritet për një zone.

Për pragun zgjedhor për partitë, VV dhe AAK thonë se duhet të jetë 5 % (sa është aktualisht), NISMA e AKR janë për 3 %, kurse PDK s’ka dhënë shifër por thotë se duhet të jetë prag natyral në 7 zona.

Për pragun zgjedhor për kandidatët e pavarur, AAK është të jetë 2%, AKR-ja 1-2 %, VV në 2.5 %, NISMA në 3 %, kurse PDK s’jep shifër por thotë duhet të ulet në një zone.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, AAK e AKR janë që të zgjidhet nga populli, kurse VV e NISMA nga Kuvendi, kurse PDK s’ka dhënë përgjigje.

Për ulëset e garantuara për komunitetet, VV e AAK-ja janë kundër, AKR-ja për vetëm 10 ulëse, NISMA për, kurse PDK s’ka përgjigje.

Për votën preferenciale, AAK-ja është të jetë deri në 2, VV e AKR deri në 5, NISMA 3-5, kurse PDK 1-10 (në varësi të numrit të zonave zgjedhore).

Të gjitha partitë ndërkaq janë të ketë votim nga jashtë, kurse sa i përket votimit me kusht, VV, AAK, e AKR janë për, kurse PDK e NISMA kundër.

Sa i përket auditimit të financave politike, AAK-ja është që të bëhet përmes auditorëve të pavarur, AKR-ja nga auditorë të pavarur ose nga Zyra Kombëtare e Auditimit, VV-ja nga Zyra Kombëtare e Auditimit ose Agjencia Kundërkorrupsion, NISMA nga Zyra Kombëtare e Auditimit, kurse PDK-ja nga auditorë të pavarur të mbikëqyrur nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Ndërsa sa i përket kuotës zgjedhore, të gjitha partitë janë njëzëri që të jetë 30 %, ashtu si edhe për dizajnin e fletëvotimeve që kërkojnë të ndryshohet.

Kujtojmë se në këtë pyetësorë mungojnë preferencat e LDK-së së Isa Mustafës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re