Ministri i Jashtëm italian Matteo di Maio, ka zhvilluar një bidesë telefonike me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kjo telefonatë u bë nga Di Maio për të vlerësuar arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore.

Gjithashtu bëhet me dije se ministri italian i ka mëshuar idesë për avancimin me reformën në drejtësi.

“Për Italinë mbetet një çështje kyçe reforma në drejtësi. E rëndësishme është ruajtja e një fryme konkstruktive. Çështjet që ende duhen diskutuar janë me rëndësi,” ka thënë në telefonata Matteo di Maio.

Ministri Di Maio, gjatë bisedës me kryeministrin shqiptar nënvizoi gjithashtu rëndësinë për të vijuar me procesin e reformave, “të cilat duhet të jenë të përbashkëta dhe të kenë jetëgjatësi parë dhe nën këndvështrimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Për Italinë mbetet një çështje kyçe puna për reformën në drejtësi, e cila duhet të realizohet plotësisht sa më shpejt. Realizimi i plotë i saj brenda një kohe të shkurtër është me rëndësi edhe për përmirësimin pasi do të ketë një impakt edhe në klimën e biznesit në Shqipëri.

Ministri e përgëzoi gjithashtu edhe për mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian “çka dëshmon për seriozitetin dhe vendosmërinë e palës shqiptare në rrugën e përafrimit drejt Evropës. Italia i ofron Shqipërisë mbështetjen e saj të plotë në rrugëtimin e saj drejt BE-së”.

Ministri Di Maio nuk ngurroi gjithashtu të kujtojë edhe personelin mjekësor që mbërriti nga Shqipëria gjatë krizës së pandemisë si dhe shprehu dëshirën për t’a falenderuar publikisht gjatë vizitës së tij të ardhshme në Tiranë që mendon ta kryejë pas pushimeve verore.

Me synimin për të realizuar një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e ekonomisë si dhe për të zbutur efektet negative të krizës më të fundit të shkaktuar nga pandemia, Ministri di Maio propozoi aktivizimin sa më të shpejtë të Komisionit ekonomik të përbashkët Itali – Shqipëri, kuadër i cili mund të mundësojë dhënien e shtysës së duhur për rritjen e investimeve mes Italisë dhe Shqipërisë si dhe marrjen në konsideratë e më tej zgjidhjen e nevojave të sipërmarrësve italianë në Shqipëri dhe atyre shqiptarë në Itali.

Gjatë bisedës me kreun e opozitës, ministri italian shprehu sërish vlerësimin për përparimet në arritjen e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës përsa i përket reformës zgjedhore, duke shpresuar në ruajtjen e një fryme bashkëpunuese për vijueshmërinë me axhendën e reformave.

“Realizimi i objektivave të përbashkëta në të mirën e Shqipërisë duhet të përqafohet nga të gjitha forcat politike pavarësisht dallimeve mes tyre” u shpreh ministri. Kreu i Farnesina-s theksoi në fund edhe rëndësinë e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian duke inkurajuar liderin e Partisë Demokratike të punojë në mënyrë aktive në arritjen e objektivave të rëndësishëm për procesin e integrimit shqiptar në BE.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re