Pas delegacionit të BE në Shqipëri, në lidhje me deklaratat e Lulzim Bashës së ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në çështjet e Reformës Zgjedhore, ka reaguar edhe ambasada e SHBA. Në përgjigje të gazetarit të News24, Osman Stafa ambasada thotë se takimet me anëtarë të parlamentit janë pjesë e angazhimit diplomatik, por thekson se “nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi”.

Ambasada gjithashtu sqaron se interesi i tyre mbetet për ‘qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim’.

Pyetje: Z. Basha pas seancës plenare, në një deklaratë për mediat, njoftoi se me ndihmën e Ambasadës suaj, ka bindur PS që të arrijë dakordësin me Enkelejd Alibejan (bashkëkryetar I Reformës Zgjedhore) për Reformën Zgjedhore. A mund të konfirmoni nëse keni ndërmjetësuar ju dakordësinë që Lulzim Basha pretendon se është arritur mes Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeaj? A mund të na jepni detaje mbi negociatat e zhvilluara.

Përgjigja e Ambasadës së SHBA: Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim.

Më herët edhe zyra e delegacionit të BE reagoi duke thënë se “nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim”, ndërsa shtoi më tej se “qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë, duke theksuar nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR”.

“Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve’, thuhet në reagim.

 

Çfarë deklaroi Basha ?

Kreu i PD, një ditë më parë (16 janar) në një prononcim për mediat, është shprehur se PD “në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike ia ka dalë të bindë palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore”.

“Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar ia kemi dalë të marrim një hap të parë modest për largimin e papërgjegjshmërisë politike përmes reformës zgjedhore dhe në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike ia ka dalë të bindë palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore”, deklararoi Basha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re