Janë zbardhur konkluzionet e tryezës së parë të të gjitha palëve politike për Reformën Zgjedhore.

Një ndër pikat e tryezës, për të cilat palët janë dakordësuar, është që Reforma Zgjedhore të përfundojë jo më vonë se 15 marsi i vitit 2020.

KONKLUZIONET E TAKIMIT

1. Formohet Këshilli Politik me përfaqësues të opozitës, drejtuesve të komisionit të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvend.

2. Këshilli mblidhet brenda muajit janar 2020 dhe autorizon platformën e punës së procesit të Reformës Zgjedhore, si më poshtë:

– Një përfaqësi politike (2 persona) nga opozita jashtëparlamentare dhe ekspertë të saj do të punojnë me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ekspertët e atashuar pranë tij.

– Çështjet që do adresohen përcaktohen në vendimin e Kuvendit Nr.102/2017, i amenduar, “Për ngritjen e komisionit të Reformës Zgjedhore” përfshirë dhe planin e punës të miratuar me konsensus nga Komisioni në vitin 2017, si dhe çdo problematikë tjetër zgjedhore, që palët bien dakord me konsensus, me qëllim arritjen e standardeve ndërkombëtare.

-Palët e përfshira të angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha çështjet e administrimit të zgjedhjeve objekt i punës së Komisioni të Reformës Zgjedhore, përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE/ODIHR me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.

-Për të ndihmuar në këtë proces Komisioni i Reformës Zgjedhore do të kërkojë zyrtarisht asistencën e OSBE/ODIHR, përfshirë dërgimin e ekspertëve nëse kjo është e mundur, që do të bashkëpunojë me përfaqësuesit politikë dhe ekspertët e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, me qëllim për të lehtësuar procesin procesin e diskutimit dhe hartimit të projekt- propozimeve përkatëse.

-Projekti përfundimtar i dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti, do të miratohet nga Kuvendi në përputhje me procedurat parlamentare. Shumica angazhohet që të mos kryejë ndryshime në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe në seancë plenare në tekstin e miratuar dhe dakordësuar mes palëve sipas këtij dokumenti.

-Palët angazhohen që Reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re