Ka përfunduar pas 6 orësh tryeza e diskutimeve mes ekspertëve të Reformës Zgjedhore dhe përfaqësuesve të OSBE/ODHIR.

Gazetarja e Vizion Plus, Enkelejda Mema, ka mësuar se pas 6 orë diskutimesh dy ekspertët e Partisë Socialiste Eridian Salianji dhe Viktor Gumi, kanë paraqitur disa propozime për Reformën Zgjedhore.

Burime për gazetaren Enkelejda Mema bëjnë me dije se Salianji dhe Gumi paraqitën draftin për secilin rekomandim, mes të cilave dhe depolitizimi i komisioneve zgjedhore dhe votimi me postë i emigrantëve.

Propozimet e bëra nga ekspertët e PS:

Depolitizimi i komisioneve zgjedhore

Dy ekspertët socialist propozuan që Komisioni i Qendres së Votimit (KQV) të përbëhet nga tre anëtarë, të emëruar nga administrata e KQZ duke u përzgjedhur nga trupa e komisionerëve të gatshëm dhe të trajnuar dhe certifikuar paraprakisht nga KQZ. Nje prej anëtarëve kryen edhe detyrën e sekretarit të KQV.   Kurse  Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ) të përbëhet nga pesë anëtarë, të përzgjedhur nga KQZ. E njëjta skemë si me monitoruesit është edhe për Grupet e Numërimit të Votave të cilat përbëhen nga dy anëtarë, të emëruar nga Komisioneri i KQZ nga trupa e trajnuar dhe certifikuar paraprakisht nga KQZ dhe nga katër monitorues politikë, si më lart, të cilët nuk kanë asnjë te drejtë vendimarrje.

Vota e emigrantëve

Në lidhje me votën e emigrantëve, në draftin e paraqitur nga dy ekspertët propozuan që shtetasit shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të votojnë nëpërmjet postës dhe zarfi me fletën e votimit duhet të ketë mbërritur në KQZ jo më vonë se ditën e votimit.

Për këtë, ata do të duhet të bëjnë regjistrimin e adresës së banimit të tyre jashtë vendit në përputhje me ligj nr. 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Ndërsa në Kodin Zgjedhor, propozohet ndryshimi  duke përcaktuar afat kohor brenda të cilit KQZ duhet të miratojë aktet përkatëse nënligjore për votimin e shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit (psh jo më vonë se 6 muaj nga fillimi i periudhës zgjedhore të vitit 2025) si dhe kohën se kur KQZ fillon procedurën e regjistrimit të shtetasve me banim jashtë vendit dhe që kanë shprehur vullnetin për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

Transparenca për fondet

Mes propozimeve të parqitura nga dy ekspertët socialist, është dhe rritja e transparencës së fondeve të partive politike dhe kontrolli I tyre. PS propozon që në Kodin Zgjedhor të vendoset afat konkret per transferimin e fondeve nga buxheti i shtetit  partive politike, si dhe te shtohet financimi publik per kandidatet e pavarur.

Një vend të veçantë zë dhe mospërdorimi i burimeve shtetërore. Në draftin e diskutuar sot, PS mësohet se ka propozuar që në Kodin Zgjedhor të përcaktohet se përben veprimtari të ndaluara për t‘u promovuar çdo veprimtari publike gjate fushatës 30 ditore zgjedhore, pavarësisht nëse ka qënë planifikuar ose jo me fonde te buxhetit të shtetit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re