28 maj 2026 – U komunikuan këtë të enjte vendimet e marra pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Fillimisht foli zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila njoftoi dy vendimmarrje me rëndësi në vazhdën e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
“Dy vendimet më të fundit sigurojnë edhe një herë që puna e institucioneve shqiptare është e konsoliduar dhe ato kanë arritur pjekurinë e mjaftueshme për të raportuar ashtu siç duhet reformat e ndërmarra.
Qeveria miratoi sot Udhërrëfyesin Kombëtar për Arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030. Një dokument strategjik që përmban 66 kritere të matshme të cilat do ta orientojnë punën e institucioneve publike në përputhje me agjendën europiane.
Një vendim i rëndësishëm është edhe ai i partneritetit strategjik mes institucioneve dhe qeverisë shqiptare me agjencitë e OKB-së për periudhën 2027-2031, një dokument që ka kaluar një fazë të gjerë konsultimesh publike. Bazohet te zhvillimi i qëndrueshëm i kapitalit njerëzor, transformimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rritja e gjelbër, si dhe mirëqeverisja, drejtësia dhe të drejtat e njeriut“, deklaroi Koçiu.
“Kemi një sërë kapitujsh që janë duke u rakorduar, është proces dinamik. Do duhet të ulemi në tryezë me palën europiane për të parë të gjitha rekomandimet e për të arritur në finalizimin e tyre”, shtoi numri dy i kabinetit sa i takon ecurisë së procesit të negociatave.
“Projekti pilot/ Cili do të jetë qyteti i parë me autobusë elektrikë?”
Ndërkohë, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo u shpreh se nevojitet një hartë sa më dinamike sa i përket start up-eve në të gjithë territorin. Njoftoi se brenda 3 muajve do kemi qytetin e parë që do përdorë autobusë elektrikë.
“Jemi duke trajtuar një numër të konsiderushëm bashkish që do jenë model të kësaj nisme, transporti do jetë i bazuar në autobusë elektrikë. Bashkia e parë e cila do të pilotohet do të jetë brenda 3 muajve të fundit të këtij viti. Kjo do të jetë një mundësi për të rritur cilësinë e shërbimeve në nivel lokal. Duhet kaluar barriera e parë, sa i përket investimit kapital për të krijuar kapacitetet për këtë shërbim”, bëri me dije ai.
Ai rreshtoi 11 objektiva strategjikë në sajë të programit të ri Rilindja 2.0.
“Duke filluar me forcimin e identitetit lokal, me ndërtimin e muzeve lokalë në zona të caktuara të Shqipërisë. Përmirësimi i funksionalitetit dhe aksesit në zonat urbane, këtu po fokusohemi në ndërtimin e parkimeve për të krijuar akses të qëndrueshëm në zonat urbane. Jemi fokusuar në bashkitë që kanë jo thjesht intensitet urban të theksuar, por edhe flukse turistike të konsiderushme.
Objektivi tjetër është rigjenerimi i hapësirave ish-industriale në asete për komunitetin. Ish-fabrika që janë privatizuar, janë potenciale ekonomike lokale që duhet t’i rikthehen komunitetit. Në fokus do jenë shërbimet parësore me ambiente sportive apo zona rekreative, por në të njëjtën kohë duke parë me imtësi edhe zhvillimin ekonomik lokal, sidomos me zhvillimin e start up-eve të reja.
Objektivi i 4-ërt është rritja e standardeve të infrastrukturës publike duke harmonizuar arkitekturën lokale me atë që qytetet ofrojnë dhe mbi të gjitha duke krijuar potencial të ri zhvillimi për zona të caktuara, këtu fokusohemi te objekte që kanë të bëjnë me sistemin e edukimit. Nxitja e inovacionit është objektivi i 5-të, nxitja e start up-eve në nivel lokal për t’u dhënë mundësi të rinjve për t’u përfshirë.
Objektivi i 6-të është përmirësimi i mjedisit urban përmes mbulimit të plotë të territorit për menaxhimin e mbetjeve, por jo vetëm. Po punojmë me bashkitë edhe për riciklimin e mbetjeve. Objektivi i 7-të është transporti urban publik, për transformimin e këtij shërbimi në nivel lokal.
Objektivi i 8-të është nxitja e jetesës së shëndetshme nëpërmjet hapësirave të reja recreative, sportive në nivel vendor. Janë evidentuar 140 spote në nivel kombëtar për të krijuar këto pole të reja.
Objektiv tjetër është forcimi i kapacitetit të bashkive sa i përket mirëmbajtjes së aseteve që ka në territor, për ngritjen e një flote të re logjistike. Jemi në fazën e ekzekutimit të këtij procesi, sidomos për përmbytjet, për një sistem më të mirë vaditjeje dhe për të garantuar një infrastrukturë më të mirë lokale, sidomos në zonat rurale. Objektiv po ashtu është zhvillimi i qyteteve inteligjente nëpërmjet Smart City”, tha ministri Demo, duke shtuar se janë miratuar sot dy bashki sa i përket zonave prioritare, ajo e Gjirokastrës dhe Fierit.
Teksa theksoi se do vijojë misioni në Letoni, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi u pyet lidhur me atë që pritet të ndodhë me trupat shqiptare në Gaza.
Pyetja e gazetarit: Kur do shkojnë trupat ushtarake në Gaza?
Ermal Nufi: Kemi dërguar një mision vëzhgues në Rripin e Gazës për të parë gjendjen e situatës atje, për të vëzhguar mundësitë e vendosjen së trupave tona atje. Jemi në diskutim me të gjithë partnerët, ata amerikanë dhe të tjerë, për të kuptuar dhe për të pasur të qartë se kush janë rregullat e angazhimit, detyrat specifike dhe kush janë masat e sigurisë.
Kemi besim të plotë për Forcat tona të Armatosura dhe njësitë ushtarake. Jemi të bindur në përgatitjen e tyre ushtarake dhe në kapacitetet e tyre. Po definojmë më qartësisht se kush janë rregullat dhe siguri që trupat tonë do kenë në terren. Operacioni dhe territori është shumë delikat.