Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann ka theksuar rëndësinë e reformimit të administratës publike si një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në BE.

Gjatë prezantimit të projektit “Ngritja e kapaciteteve për nëpunësit civilë” ku do të marrin pjesë 25 punonjës të administratës, ajo theksoi se Shqipëria do të bëhet shtet anëtar i BE-së sa më shpejt të jetë e mundur vetëm me vepra”.

Ndërsa shtoi se “për këtë duhet të përveshim mëngët dhe duhet të punojmë fort.”

“Ne kemi disa programe për të mbështetur administratën publike. Duhet të vijojmë për të garantuar pavarësinë, integritetin por edhe procesin e duhur të rekrutimit në sektorin publik, që të jetë i bazuar tek aftësitë tuaja, tek njohuritë tuaja dhe tek asgjë tjetër. Një shërbim publik transparent dhe me integritet. Administrata publike dhe reforma e saj është pjesë e grupit kapitujve numër 1 të cilët janë kapitujt më të rëndësishëm që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, ekonominë dhe funksionin demokratik të një shteti. Udhërrëfyesi për reformën në administratën publike është parakusht që të fillohen negociatat në kapituj, është piketa hapëse e negociatave në kapituj. Ndaj varen kaq shumë gjëra nga administrata publike, ndaj është e rëndësishme për mua që të inkurajoj të gjithë të merrni pjesë në këtë program.

70% e legjislacionit të BE do të vihet në zbatim nga autoritetet vendore, nga qeveria vendore dhe jo qendrore ndaj duhet të arrijmë në të gjitha nivelet e administratës. Për ne ky është investim spektakolar tek e ardhmja e vendit. Me vepra Shqipëria do të bëhet shtet anëtar i BE-së sa më shpejt të jetë e mundur dhe për këtë duhet të përveshim mëngët dhe duhet të punojmë fort”, tha ajo.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re