Nga Red VARAKU* –

Partia Socialiste me ardhjen e Ramës nuk funksionon më si një bashkim individësh, që ndajnë të njëjtën ideologji apo përkatësi, por si një korporatë. Ajo drejtohet me dorë të hekurt nga i vetëshpalluri “pronar” i saj, dhe si i tillë, ai dominon plotësisht jetën e antarëve.

Në fakt, kjo është një formë diktature, e cila e zhvesh individin nga të drejta themelore edhe kushtetuese, përfshi këtu edhe lirinë e fjalës. Antari i saj ndodhet nën monitorim total dhe nën survejim të imët nga një aparat i sofistikuar që skanon, jo vetëm aktivitetin e përditshëm të antarëve, por edhe aktivitetin e tyre virtual. Strategjia e lidershipit të PS për të siguruar bindje dhe nënshtrim total përfshin intimidimin deri te vendi i punës dhe “buka” për antarët e familjes. Si pasojë, njerëzit që aderojnë në parti janë më shumë aty si “lypsarë”, për një rrogë, se sa si individë të lirë dhe me integritet.

Kjo mënyrë të sunduari nuk është e panjohur në ekosistemin tonë politik. Përkundrazi, është një mënyrë pasojat e të cilës i kemi akoma të freskëta në memorien tonë. Në fakt, është një sistem të drejtuari tipik komunist. Udhëheqësi, tashmë pronar, nuk ia ka nevojën askujt, sepse ai vetë-zgjidhet sa herë të dojë. Madje nuk bën më as zgjedhje. Ai ka në dorë gjithçka.

Ky është fundi i demokracisë.

Të gjithë e kanë të qartë këtë. Nëse do të guxonin të flisnin kjo do t’u kushtonte shumë rëndë, ndaj shumica kanë zgjedhur të heshtin.

Sapo zgjedh të bëhesh antar i një korporate të tillë, automatikisht ke zgjedhur të heqësh dorë nga të drejta themelore kushtetuese. Autoriteti i kryetarit është i padiskutueshëm dhe ti nuk ke asnjë të drejtë të kundërshtosh ose të apelosh vendimet e tij.

Deri këtu duket sikur nuk ka ndonjë problem. Por, kur kjo mënyrë të menduari në mënyrë të pashmangshme, kthehet në objektivin kryesor të qeverisjes, kthehet në një problem të madh të demokracisë për shoqërinë, sepse rrezikon që të prodhojë një qeverisje arbitrare me prirje të forta totalitare.

Është pikërisht kjo tendencë që ka krijuar premisat për situatën ku ndodhet sot vendi, i cili po rrëshket me shpejtësi drejt totalitarizmit. Dialektika që sundon jetën partiake justifikon dominimin total të partisë dhe më pas të shoqërisë, nën justifikimin që partitë janë autonome dhe të pavarura. Rilindja fillimisht kapi Partinë Socialiste dhe tani po tenton të gjunjëzojë të gjithë sistemin.

Ky është një model që prodhon premisa për udhëheqës me prirje autoritare, sepse raporti ndërmjet partisë dhe antarit të saj është sot në fakt raporti i një skllavi inferior ndaj padronit, i cili i fal diçka më shumë si mëshirë, se sa si shkëmbim interesash reciproke. Në një parti të shëndetshme marrëdhënia midis antarëve është një marrëdhënie midis njerëzish të lirë që vlera kanë lirinë dhe dinjitetin, dhe jo një marrëdhënie skllevërish pa dinjitet.

Ndërkohë ajo që vërejmë është një nënshtrim total të shëmtuar ndaj udhëheqësit. Antarësimi në parti tashmë është kthyer në një kontratë që parasheh si autoritet vetëm kryetarin.

Pra, në vend që partia të jetë një mjedis ku individi gjen lirinë për të shprehur qëndrimet e tij, kthehet në një mjedis ku individi asgjësohet dhe njeh si autoritet vetëm udhëheqësin. Ai nuk ka të drejtë të diskutojë, por vetëm t’i bindet në mënyrë të verbër udhëheqësit të plotfuqishëm, i cili tashmë ka në dorë gjithçka. Asimetria e raportit të antarit me udhëheqësin është ulëritëse. Aq sa nënshtrimi konsiderohet liri.

Është e pamundur të ndërtohet një shoqëri e lirë dhe demokratike nëse vetë partia nuk është demokratike. Tirania e këtyre superstrukturave është e pashmangshme dhe zgjidhje e vetme mbetet shkatërrimi i këtij modeli dhe zëvendësimi i tij me një model tjetër, që garanton demokracinë. Debati për një reformë zgjedhore nuk ka asnjë vlerë, nëse nuk zgjidhim këtë situatë nëpër partitë tona. Sepse rezultati do të jetë i njëjtë. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 u bënë për të parandaluar pikërisht këtë që kemi sot. Ato nuk sollën asgjë të re sepse fokusi ishte i gabuar. Problemi kryesor është organizimi i brendshëm i partive. Ai duhet të jetë i hapur, demokratik, jo mafioz dhe okult.

Ndaj në vazhdën e shqetësimit për ndryshimin e sistemit duhet të jetë me shumë rëndësi organizimi i brendshëm i partive. Mënyra se si funksionojnë ato, demokratizimi dhe hapja e tyre për qytetarët.

Sistemi i ri duhet të pamundësojë kapjen e një partie nga një grusht njerëzish, dhe uzurpimin e saj me qëllim vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve, siç ndodhi me Rilindjen. Sistemi i ri duhet të pamundësojë karrierën e kasnecëve të krimit ose ushtarëve të oligarkëve në krye të partive.

Partia Demokratike sikur po i paraprin një sistemi të tillë. Ajo po bëhet gati të aplikojë sistemin e primareve, për t’i rikthyer partinë antarësisë së saj dhe qytetarëve shqiptarë. Ndaj është me rëndësi jetike  që reformimi i organizimit të brendshëm të partive të jetë pjesë integrale e sistemit të ri. Më pas një reformë zgjedhore e dakordësuar do të krijojë premisat për një shoqëri të shëndetshme dhe demokratike.

*Politiko.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re