Analisti Fatos Lubonja ka komentuar marrëveshjen e firmosur mes Shqipërisë dhe Italisë për të sjellë në Shëngjin mijëra refugjatë dhe azilkërkues të shpëtuar nga Mesdheu nga mjetet lundruese të Italisë.  

Sipas Lubonjës, vendosja e kampeve të emigrantëve në Shqipëri është edhe një metodë për të trembur emigrantët që synojnë vendet e Europës.

Gjithashtu, ai, në një lidhje live me studion e emisionit “Open” në News 24, zbuloi se sipas një njoftimi të fundit koha e qëndrimit për emigrantët nuk do të jetë më 1 muaj siç u lajmërua fillimisht, por do të shkojë në 18 javë.

“Problemi është që këta italianët nuk e njohin Shqipërinë dhe Ramën, e njohin vetëm prej skupeve propagandistike që bën. Të thuash që Partia Socialiste është e majtë, është gjëja më e paarsyeshme dhe injoranca më e madhe për vendin.

Rama po mbrohet nga e djathta, gazetarët e djathtë, por nuk po sulmohet aq shumë nga e majta. Ka një shqetësim ndërkombëtar lidhur me rastin, por nuk besoj se do përqendrohen te Shqipëria. Ky shqetësim zbutet sepse është hall i të majtëve në pushtet, si Scholz në Gjermani. Kanë marrë disa masa për të trembur emigrantët.

Dy gjëra tregojnë seriozitetin e politikave. Deri dje në marrëveshjen që pamë ne na u tha që do vijnë maksimumi 3 mijë vetë në një muaj. Pastaj lindte pyetja çfarë ndodh pas këtyre ditëve. Tani po e shikojnë marrëveshjen dhe thanë që do e bëjnë 18 javë, do e katërfishojnë kohën e qëndrimit. Ja gjëja e parë. Ata nuk do rrinë një muaj, por 18 javë. Sipas njoftimit kjo, mund të ketë sërish ndryshime.

Nga ana tjetër thonë që kjo bëhet për parandalim, pra frikësim si me ato kampet e Libisë. Pra të mos nxitohen sepse do përfundojnë në Shqipëri. Ne mund edhe të fitojmë ndonjë lek, po nuk është arsye për t’i sjellë ata.

Ka një nivel politik dhe është e gabuar për mendimin tim. Është një çështje e të drejtave të njeriut ku është sërish gabim. Ka edhe gabime teknikisht sepse nuk mund të funksionojë”, u shpreh Lubonja.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re