Universitetet nga data 4 tetor kanë hapur dyer për të gjithë maturantët të cilët kishin aplikuar në dy raundet e para por që nuk arritën të fitojnë asnjë degë, tani ju është dhënë mundësia të shkojnë vetë direkt të universiteti për të kryer regjistrimin në fakultetet ku ka vende bosh.

 

Për këtë vendim, ka folur sot në Vizion Plus Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar, i cili tha se e njëjta formë është përdorur edhe vitin e kaluar.

 

Ai më tej shtoi se 50% e maturantëve kanë marrë drejtimin në degët e mjekësisë dhe IT, ndërsa degët profesionale janë zgjerur më tej gjatë këtyre viteve. E në rast se ndonjë degë profesionale rrezikon të mos hapet, kjo sipas Xhelajt është normale, për shkak të shtimit të degëve që janë bërë.

 

Referuar “krizës” për zgjedhjen e degës së fizikës nga ana e maturantëve në Tiranë, Xhelaj thotë se nuk rrezikon mbyllje, pasi llogaritja bëhet në rang kombëtar.

 

Intervista e plotë:

 

Ky regjistrim pa filtra paraprake, çfarë është rezultati i këtyre dy ditëve të para, dje dhe sot?

 

Procesi i regjistrimit në fazën e lirë do të vazhdojë siç ka qenë edhe në raundet e para, përsa i përket hyrjes në univeristet. Vërtet aplikimi nuk do të bëhet më përmes portalit U Albania por do të bëhet fizikisht, por i gjithë procesi tjetër vijon në portalin U Albania.. Sekretaritë regjistrohen në portalin U Albania, kontrollohet mesatarja e maturantëve para se të regjistrohet, vlejnë të njëjtat kritere siç kanë qenë si në raundin e parë dhe të dytë. Të gjithë maturantët  që kanë kriterin e mesatares 6.5, mund të regjistrohen në programin e studimeve Bachelor, ndërsa të tjerët që nuk e kanë këtë mesatare do të vijojnë të regjistrohen në programet 2 vjeçare profesionale.

 

Pra kemi të bëjmë vetëm me një shtyrje afati atëhere?

 

Po, kjo ka qenë edhe vjet. Në fund të raundit të tretë, u dha mundësia maturantëve që nuk ishin regjistruar të shkonin pranë fakultetit dhe të vijonin, por janë  të njëjtat kritere. Sivjet nuk është hapur portali sepse kemi një numër më të limituar, kemi mbi 20 mijë maturantë të regjistruar deri më sot dhe pritet të regjistrohen 2 mijë maturantë, megjithëse ka potencial edhe për më shumë. Kështu që, vijon i njëjti proces me regjistrimin në portal nga ana e sekretarive të universiteteve, në ato programe studimi që ka më pak kuota se aplikantë, universitetet janë të detyruara të bëjnë renditjen  dhe të bëjnë një short list, dhe në bazë të saj të bëjnë regjistrimin nga maturanti më i mirë tek ai me rezultatet vijuese.

 

Tek programet e studimit që ka më pak aplikantë se kuotat, është normale që procesi i regjistrimit të vijojë direkt, vetëm duke plotësuar kriterin e mesatares.

 

Degët e mësuesisë, janë të rrezikuara nga një lloj braktisje në masë. A ka diçka të re, apo kjo është një dukuri që nuk ke çfarë i bën pasi studentët janë të lirë të zgjedhin atje ku duan?

 

Degët e mësuesisë  në rang kombëtar nuk kemi ulje. Po marr rastin e Fizikës, sepse është diskutuar shumë. Fizika bëhet në rang kombëtar sepse e kanë të gjitha universitetet rajonale. Për fizikën kemi 115 maturantë të regjistruar dhe kjo është një shifër e mirë.

 

Nuk është sekret që universitetet e rretheve janë më pak të lakmuarit në rang kombëtar. Me regjistrimet e sivjetshme, cilat janë degët më të lakmuara dhe ato më pak të lakmuara?

 

Si gjithmonë, degët më të preferuara ngelet mjekësia e përgjithshme. Po ashtu edhe infermieri, stomatologji e farmaci kanë një regjistrim të mirë dhe arrijnë diku mbi 25%. E njëjta vlen edhe për degët e IT, ku të gjitha programet bëjnë gati 25%. Mes mjekësisë dhe teknologjisë kanë shkuar gjysma e maturantëve të regjistruar.

 

Në fund të preferencave janë…

 

Keni parasysh që janë 650 programe studimi. Kur ka filluar U Albania para 7 vitesh kanë qenë 450 programe dhe është mëse noramale që me shtimin e programeve që do kemi një numër të limituar. Nëse do ketë programe me riskun që një vit mos hapen, kjo është normale. Oferta akademike është zgjeruar, por numri i maturantëve është i pandryshuar ndër vite.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re