Opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit dhe shkak është bërë refuzimi nga mazhoranca për të votuar ndryshimet e Reformës Zgjedhore. Për rrjedhojë,  është anuluar votimi për sot dhe rendi i ditës do të votohet në seancën e radhës.

 

Gazment Bardhi foli jashtë selisë së Parlamentit për gazetarët, duke thënë se mazhoranca po zvarrit qëllimisht votimin e Reformës Zgjedhore.

 

Ai ngriti akuzat se shumica socialiste po kërkon të pengojë përfaqësimin e opozitës në komisionin e Reformës Zgjedhore, me qëllim që të zvarrisë realizimin e saj.

 

“Opozita ka të drejtë të caktojë ai përfaqësuesit e vet në komisionin e Reformës Zgjedhore. Ka një tentativë të qartë të grupit të PS-së për të penguar përfaqësimin e opozitës në këtë komision për të zvarritur realizimin e Reformës Zgjedhore.

 

Nëse opozitës i mbyllet çdo hapësirë, Kuvendi nuk mund të funksionojë në mënyrë normale. Kur nuk realizohen kërkesat e interpelancës, kur nuk lejohen komisionet, kjo do të thotë se Parlamenti ka humbur çdo mundësi bashkëjetese normale mes pozitës dhe opozitës”, u shpreh Bardhi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re