Dy vjet nga përfundimi i mandatit të Bujar Leskajt, si kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky i fundit qëndron ende në detyrë për shkak të ngërçit të krijuar mes Presidentit dhe Kuvendit. Mazhoranca ka rrëzuar tri kandidatura të kreut të Shtetit, Ilir Meta, duke mos mundur të përzgjedh drejtuesin e ri të institucionit.

Përballë kësaj situate, “News 24” zbardh draftin e maxhorancës për të zhbllokuar procesin e emërimit të kryetarit të ri nëpërmjet ndërhyrjes në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në projektligjin që pritet të dorëzohet në Kuvend, parashikohet shfuqizimin në ligjin aktual të normativës që mban ende në detyrë Bujar Leskajn deri në zgjedhjen e pasardhësit. Maxhoranca propozon shtimin e postit të zëvendëskryetarit të KLSH.

“Kuvendi me propozim të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit emëron zëvendëskryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zëvendëskryetari emërohet për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhje më shumë se një herë dhe ushtron funksionet e Kryetarit, në të gjitha rastet kur vendi i Kryetarit mbetet bosh për shkak të mbarimit të mandatit ose shkarkimit”.

Përmes një dispozitë tranzitore në ligjin për funksionimin e KLSH, socialistët ja delegojnë Komisionit të Ekonomisë kompetencën për të emëruar zëvendëskryetarin.

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, brenda 15 ditëve vijuese i propozon Kuvendit, kandidaturën që do të komandohet në postin e Zëvendëskryetarit të KLSH dhe do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e emërimit dhe plotësimit të vakancës së Kryetarit të KLSH.

Do të duhen 84 vota në Kuvend për ti hapur rrugë shtimit të një posti të ri në Kontrollin e Lartë të Shtetit çka do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit me Presidentin e Republikës, të cilit i janë refuzuar tre kandidatura.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re