Një shofer ambulance në Spitalin Rajonal të Beratit, ka gjetur vdekjen mbrëmjen e djeshme, si pasojë e një arresti kardiak. Shkëlqim Metolli, 60 vjeç, është gjetur i pa jetë në banesën e tij nga të afërmit.

Mësohet se Metolli kishte disa ditë që ndodhej me raport në shtëpi, për shkak se ishte i sëmurë. Ai kishte shfaqur shenja të dukshme të Covid-19 dhe për shkak se jetonte i vetëm, familjarët i kishin kërkuar të bënte tamponin, por nuk kishte pranuar.

Disa ditë pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, të cilën po e trajtonte në shtëpi me medikamente, Metolli ka pësuar një arrest kardiak dhe ka gjetur vdekjen. Burime nga Spitali Rajonal i Beratit bëjnë me dije se është kërkuar nga ana e familjarëve ekzaminimi i kufomës për të mësuar nëse ishte i prekur apo jo nga Covid-19.

Dyshimet se shoferi i ambulancës ishte i prekur nga Covid-19 janë hedhur edhe nga kolegët e tij dhe mjekët e spitalit, që konfirmojnë se ai kishte shfaqur edhe gjatë ditëve të fundit të punës shenja të lodhjes fizike dhe temperaturë të vazhdueshme.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re